Borxhi 24 milionë euro ndaj Devollëve: Sindikata thotë se ‘kontrata korruptive’ do ta shkatërrojë Telekomin

Sindikata u ka bërë thirrje institucioneve të Drejtësisë se nuk duhet të lejojnë që “një kontratë korruptive” të shkatërrojë Telekomin e Kosovës.

Federata Sindikale e Pavarur e PTK-së ka lëshuar një reagim në lidhje me vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, për përmbarim/realizim të borxhit mbi 24 milionë eurosh ndaj kompanisë Dardafon.net, përkatësisht operatorit mobil, Z –  Mobile, në pronësi të biznesmenit Blerim Devolli.

Dardafon.net ka fituar lëndën në Arbitrazh në vitin 2016, ndërsa i është njohur e drejta për përmbarim/realizim të borxhit.

Rreth katër vjet me parë, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pasi pretendonte se Telekomi i Kosovë kishte shkelur marrëveshjen pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.

Për këtë çështje në fund të vitit 2016 pati vendosur Gjykata Ndërkombëtare i Arbitrazhit, e cila e obligonte Telekomin të paguante mbi 30 milionë euro gjobë për shkak të shkeljes se marrëveshjes, që Telekomi e ka nënshkruar me Z-Mobile’in në vitin 2009.

Një vit më vongë, ish-kryeshefi i Telekomit, Agron Mustafa se bashku me pronarin e Z-Mobile, Blerim Devolli patën dalë para mediave me arsyetimin se kanë arritur marrëveshje dhe se Devollët do e falnin borxhin e Telekomit që i obligonte Arbitrazhi. Gazeta Express e kishte publikuar kontratën e plotë.

Megjithatë, Dëvollët më vonë u tërhiqen edhe nga kjo marrëveshje dhe përmes gjykatës i kërkuan Telekomit borxhin.