Kryeministri i vendit, Albin Kurti mbrëmjen e së martës ka vizituar njërën nga depot ku janë vendosur furnizimet e fundit me armatim për Ushtrinë e Kosovës.
Lajmin e bëri të ditur vet Kurti përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ku ndër të tjera ka shkruar se këtë vizitë e bëri bashkë me komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant, Bashkim Jasharin dhe ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Kurti tha se ky armatim modern është në kuadër të blerjeve dhe furnizimeve të vazhdueshme që janë duke u bërë për FSK-në.
“Mbrëmë së bashku me Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci vizituam njërën nga depot ku janë vendosur furnizimet e fundit me armatim për ushtrinë tonë.
Ky armatim modern është në kuadër të blerjeve dhe furnizimeve të vazhdueshme që jemi duke i bërë për forcën tonë dhe është vetëm një pjesë fare e vogël e sasisë më të madhe të armatimit të këmbësorisë që ndonjëherë kemi marrë”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri po ashtu ka thënë se ngritja e kapaciteteve ushtarake ka qenë dhe do të jetë gjithnjë në shërbim të mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit tonë territorial dhe të ruajtjes së paqes dhe sigurisë.