KRYESORE

Burimet e REL: Javë kyçe për dialogun Kosovë-Serbi dhe propozimet e 5 emisarëve që i sollën të shtunën

Kjo javë shihet si afati kur Kosova dhe Serbia duhet ta bëjnë hapin kyç në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, duke pranuar disa kërkesa dhe propozime që ua kanë paraqitur të shtunën pesë emisarë të lartë perëndimorë.

Kështu raporton Radio Evropa e Lirë t’i kenë pohuar burimet diplomatike në BE, por pa dhënë hollësi se cilat janë propozimet konkrete që u janë prezantuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Megjithatë, REL raporton me burime se “afati për t’u deklaruar nuk është i gjatë, është shumë i shkurtër, më së largu deri të enjten, kur në Bruksel takohen shefat e shteteve apo qeverive të BE-së në samitin e Këshillit Evropian”.

Në një komunikatë të Qeverisë së Kosovës u tha se “të pesë emisarët ofruan planin e tyre të ri për ecjen përpara, për çfarë kryeministri shprehu falënderimet dhe vlerësimet e tij”.

As aty nuk u dhanë detaje se për çfarë plani bëhet fjalë.

Sipas komunikatës, Kurti tha se prioritet kryesor dhe çështje urgjente për Kosovën është siguria e shtetit dhe e qytetarëve, e kufijve dhe e territorit.

Kurti edhe Vuçiq pritet të jenë në Bruksel të enjten dhe, nëse do të ketë përparim nga ta, atëherë në konkluzat e samitit të BE-së pritet të përfshihet një porosi për Kosovën dhe Serbinë dhe procesin e dialogut.

Disa burime diplomatike në Bruksel thonë për Radion Evropa e Lirë se kërkesat për Kosovën kanë të bëjnë me pranimin e një drafti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa ato për Serbinë me respektimin pa kushte të obligimeve nga aneksi i pranuar në Ohër për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Të shtunën, në Prishtinë dhe Beograd qëndruan përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, përfaqësuesi i lartë i Francës, Emanuel Bonne, i Gjermanisë, Jens Plotner, dhe i Italisë, Alessandro Cattaneo.

Temë diskutimi ishte vazhdimi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Përfaqësuesit e dy vendeve janë takuar për herë të fundit më 14 shtator, por pa ndonjë përparim.

Dhjetë ditë pas ka ndodhur sulmi një Banjskë, kur grupe të armatosura kanë sulmuar policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter.

Kosova ka bërë përgjegjëse Serbinë për këtë sulm dhe ka thënë se nuk do t’u kthehet bisedimeve pa u ndëshkuar shteti fqinj.

Serbia e ka mohuar përfshirjen dhe ka thënë se është duke e hetuar sulmin edhe vetë.

Situata në Kosovë dhe bisedimet e saj me Serbinë janë temë diskutimi edhe në takimin e sotëm të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian në Luksemburg.

Për këtë pritet të flasë përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

Ministrat pritet të njihen edhe me vizitën që pesë përfaqësuesit e lartë perëndimorë kanë zhvilluar në Kosovë dhe Serbi.

Gjatë kësaj jave, edhe vetë Lajçak pritet t’i njoftojë përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për përparimin në këtë proces.

Situata në Kosovë dhe normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi ka qenë, po ashtu, temë e diskutimeve në samitin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, që është zhvilluar të premten.

Si SHBA-ja, ashtu edhe BE-ja kanë bërë thirrje për zbatimin “e shpejtë dhe pa kushte” të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe për kthimin e palëve në dialog.

Kosova dhe Serbia janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve nga viti 2011. Ndonëse kanë arritur dhjetëra marrëveshje, shumë prej tyre kanë mbetur pa u zbatuar.

Ndër pikat më të nxehta të dialogut është Marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

E arritur në vitin 2013, ajo nuk është zbatuar kurrë, pasi zyrtarët në Prishtinë kanë shprehur shqetësime se kompetencat e gjera për këtë asociacion, do të mund të ndikonin negativisht në funksionalitetin e shtetit.

Por, nga SHBA-ja kanë porositur Kosovën se themelimi i këtij asociacioni duhet të jetë ndër hapat e parë që duhet t’i bëjë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.


FM IMAGES

FM IMAGES ALBANIA - Copyright © 2025 e-mail: info@fmimages.net. All Rights Reserved.

Recent Posts

  • KRYESORE

Numërimi i afrohet 100 përqëindëshit: LVV 43,03 %, PDK 21.21 %, LDK 17.68 % dhe AAK 7.10%

Numërimi i afrohet 100 përqëindëshit: LVV 43,03 %, PDK 21.21 %, LDK 17.68 % dhe…

5 orë ago
  • FOTO&VIDEO

Afro 20 për qind të votave të numëruara, prin VV’ja

Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të prijë në rezultatet preliminare të procesuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve…

8 orë ago
  • KRYESORE

Zgjedhjet në Kosovë – Exit Polli i Albanian Post në T7: VV’ja 43%, PDK 22, LDK 18 dhe AAK 7

Sot në Kosova janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Lidhur me këtë,  është publikuar Exit…

9 orë ago
  • KRYESORE

Narrativa të fabrikuara: Si u deformuan protestat për Zvërnecin

Pamje të nxjerra jashtë kontekstit, imazhe të krijuara me Inteligjencë Artificiale dhe narrativa gjeopolitike u…

16 orë ago
  • FOTO&VIDEO

Rama ironizon protestuesit në Zvërnec: Mos ua prishni flamingove plazhin me makina dhe kanoçe birre

Kryeministri Edi Rama ka reaguar me ironi në rrjetet sociale pas protestës e cila u…

19 orë ago
  • POLITIKE

Pas Greqisë, tani edhe Turqia kundër Shqipërisë

Sipas gazetarit dhe analistit turk İbrahim Karagül, zhvillimet e fundit rreth Ishullit të Sazanit nuk…

1 ditë ago