Një grua që kishte dalë për të kryer pazarin në supermarketin “Interex”, në Lagjen e Spitalit, përfundoi në spital, pasi që një konsumator tjetër kishte vendosur të shfrynte nervozizmin e tij tek ajo.
Ndonëse ajo ishte e koncentruar duke shikuar artikujt dhe duke kryer blerje, një burrë i shoqëruar nga gruaja dhe djemtë e tij të mitur, u nervozua se pse karroca e saj ia zuri rrugën dhe filloi ta rrahë brutalisht.
Në një video të siguruar nga Gazeta Sinjali shihet i dyshuari i cili fillimisht debaton me gruan dhe megjithëse ajo ia liron rrugën, ai fillon ta godasë.
Në sytë e gruas dhe fëmijëve ai e godet pamëshirshëm atë disa herë me karrocë, e më pas fillon ta godasë edhe me grushte.
Ani pse, gruaja e të dyshuarit arrin ta largojë njëherë, ai kthehet sërish dhe vazhdon ta godasë me grushte të panjohurën, derisa aty shkon edhe një konsumator tjetër për t’i ndarë.