Takimi i Kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq gjatë fundjavës, për “Mini-Shengenin Ballkanik” , me ftesë të Kryeministrit të Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev po vazhdon të ngjallë reagime.
Kjo pasi, në konferencën e mbajtur në Samitin e Ohrit, Kosova nuk mori pjesë.
Enver Bytyçi ka thënë se Shengeni Ballkanik është ikje nga Integrimi Evropian dhe ai u vendos në takimin midis Vuçiq dhe Edi Rames në shtator në Nju Jork.
Sipas tij, erdhi si Plan B i Beogradit pas dështimit me projektin e Kosovës. Edi Rama kishte mbështetur idenë serbe të Vuçiqi të vitit 2015 për një union ballkanik të plotë me të gjitha shtetet ish-Jugosllave, minus Slloveninë plus Shqipërinë.
“Mbështeti pastaj edhe idenë dhe projektin serbet ndarjes së Kosovës. Kur dështuan këto doli në sipërfaqe minishengeni, ku bashkohen në një union Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Ky lloj bashkimi është vullnet i liderëve arrogant dhe autoritarë të Ballkanit, përkatësisht Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiqi. Mirë se presidenti i Serbisë e di se kjo nismë është në interesat e vendit të tij, po kryeministri i Shqipërisë pse vrapon pas interesit serb dhe kundër interesit shqiptar? Kjo është enigmë. Kjo do të thotë se dy protagonistet nuk janë konsultuar më askënd, as me politikanë e vendeve të tyre, as me ekspertë, as me përfaqësuesit legjitimë të tri vendeve të tjera, përkatësisht Kosovës, Malit të Zi dhe BH dhe në këto kushte iniciativa është jo legjitime”, ka thënë profesor Bytyçi.
Sipas tij, për pasojë nuk mund të implementohet dhe nuk mund të funksionojë kështu, por unione të tilla duan edhe parakushte të tjera.
“Së pari demokraci funksionale dhe liberale, e cila mundëson respektimin e mendimit dhe vullnetit të qytetareve. Kjo nuk funksionon në asnjë vend ballkanik, aq më pak në Shqipëri e në Serbi. Së dyti, stabilitet politik dhe zgjidhjen e konflikteve fqinjësore. As ky parakusht nuk ekziston. Kosova dhe Serbia ende janë në konflikt të hapur. Beogradi vazhdon provokimet dhe obstruksionin e tij kundër Kosovës, institucioneve të sa, pavarësisë dhe integritetit territorial të saj”, ka thënë profesor Bytyçi.
Ai ka theksuar se Mini-Shengeni del si vullnet i dy udhëheqësve autoritarë dhe arrogant të Ballkanit.
“Është e turpshme se si Edi Rama i shpalli luftë Kosovës nga Ohri të dielën e shkuar. Është e rrezikshme akuza e tij ndaj Prishtinës dhe Kosovës, sepse i jep mundësi Serbisë të argumentoje se problem në marrëdhëniet midis Prishtinës e Beogradit nuk është Serbia, por Kosova. Nuk besoj që Serbia të ketë marrë shërbim tjetër më të mirë nga ndonjë shqiptar tjetër në historinë e marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe serbë. Edi Rama është shndërruar në vasal tipik i Aleksandër Vuçiq dhe kjo ndodh, sepse në kushtet e qeverisjes mizerabël të tij, të marrë mbështetjen e Serbisë, Rusisë dhe miqve të tyre në Evropë dhe Amerikë për të qëndruar në pushtet. Si asnjëherë tjetër pushteti e ka verbuar kryeministrin e Shqipërisë ka thënë profesor Enver Bytyçi.