Ndërkohë që qeveritë perëndimore po e kërcënojnë Rusinë me një paketë sanksionesh të paprecedentë që synojnë ta pengojnë Presidentin Vladimir Putin të urdhërojë një pushtim të Ukrainës, eksiston një masë në veçanti që duket se shkakton frikë në zemër të Kremlinit: shkëputja e vendit nga sistemi bankar global.
Ligjvënësit amerikanë kanë sugjeruar javët e fundit se Rusia mund të përjashtohet nga SWIFT, një rrjet i sigurisë së lartë që lidh mijëra institucione financiare në mbarë botën.
Ligjvënësit e lartë rusë janë përgjigjur duke thënë se dërgesat e naftës, gazit dhe metaleve në Evropë do të ndaleshin nëse ndodh një gjë e tillë.
Çfarë është SWIFT?
SWIFT – Shoqëria për Telekomunikacionin Financiar Ndërbankar në mbarë botën u themelua në vitin 1973 për ta zëvendësuar teleksin dhe tani përdoret nga mbi 11,000 institucione financiare për të dërguar mesazhe të sigurta dhe urdhërpagesa. Pa asnjë alternativë të pranuar globalisht, është një hidraulik thelbësor për financat globale.
Largimi i Rusisë nga SWIFT do ta bënte pothuajse të pamundur për institucionet financiare dërgimin e parave brenda ose jashtë vendit, duke shkaktuar një tronditje të papritur për kompanitë ruse dhe klientët e tyre të huaj – veçanërisht blerësit e eksporteve të naftës dhe gazit në dollarë amerikanë.
“Ndërprerja do t`i përfundonte të gjitha transaksionet ndërkombëtare, do të shkaktonte paqëndrueshmëri të monedhës dhe do të shkaktonte dalje masive të kapitalit”, shkroi Maria Shagina, bashkëpunëtore vizitore në Institutin Finlandez të Çështjeve Ndërkombëtare, në një punim vitin e kaluar për Carnegie Moscow Center. Përjashtimi i Rusisë nga SWIFT do të bënte që ekonomia e saj të tkurret me 5%, vlerësoi ish-ministri i financave Alexei Kudrin në 2014.
Çfarë ndodh nëse Rusia përjshtohet nga SWIFT?
Ka një precedent për përjahstimin e një vendi nga SWIFT.
SWIFT i ka shkëputur bankat iraniane në vitin 2012 pasi ato u sanksionuan nga Bashkimi Evropian për programin bërthamor të vendit. Irani humbi pothuajse gjysmën e të ardhurave të tij nga eksporti i naftës dhe 30% të tregtisë së jashtme pas shkëputjes, sipas Maria Shagina.
“SWIFT është një kooperativë globale neutrale e krijuar dhe operuar për përfitimin kolektiv të komunitetit të saj”, tha kjo organizatë në një deklaratë të mërkurën. “Çdo vendim për vendosjen e sanksioneve ndaj vendeve ose subjekteve individuale varet vetëm nga organet kompetente qeveritare dhe ligjvënësit në fuqi”, thihet tutje nga kjo organizatë.
Bashkimi Evropian është i gatshëm t’i përgjigjet një pushtimi rus të Ukrainës me “sanksione gjithëpërfshirëse të papara ndonjëherë më parë”, tha të hënën ministri i Jashtëm danez Jeppe Kofod. Kryediplomati i BE-së Josep Borrell tha të martën se sanksionet do të ishin “leva më e rëndësishme që ka Perëndimi, ose të paktën Bashkimi Evropian”.
Kryeministri britanik Boris Johnson u tha ligjvënësve të martën se qeveria e tij po diskutonte mundësinë e përjashtimit të Rusisë nga SWIFT me Shtetet e Bashkuara.
“Nuk ka dyshim se kjo do të ishte një armë shumë e fuqishme [kundër Rusisë]. Kam frikë se mund të vendoset vërtet vetëm me ndihmën e Shteteve të Bashkuara. Ne jemi në diskutime për këtë,” tha Johnson.
Kundërmasat e Rusisë
Rusia ka ndërmarrë masat e saja vitet e fundit për ta zbutur traumën në rast se ajo përjashtohet nga SWIFT.
Moska krijoi sistemin e saj të pagesave, SPFS, pasi u godit nga sanksionet perëndimore në vitin 2014 pas aneksimit të Krimesë në fillim të atij viti. SPFS tani ka rreth 400 përdorues, sipas bankës qendrore të Rusisë. Njëzet për qind e transfertave të brendshme bëhen aktualisht përmes SPFS, sipas Shagina, mirëpo madhësia e mesazheve është e kufizuar dhe operacionet janë të kufizuara në orët e ditës së javës.
Sistemi i ri i pagesave ndërbankare ndërkufitare të Kinës, ose CIPS, mund të ofrojë një alternativë tjetër ndaj SWIFT. Moska gjithashtu mund të detyrohet të përdorë kriptomonedha.
Por këto nuk janë alternativa atraktive.
“Unë nuk jam i sigurt se vendet e tjera, veçanërisht ato, pjesa tregtare e të cilave me Rusinë është e madhe në bilanc, do ta mbështesin përjashtimin e Rusisë,” shtoi ai./CNN