Ka kaluar rreth një muaj nga çlirimi i qytetit të Irpin, por banorët e tij ende po e gjejnë trashëgiminë e granatimeve ruse.
Bëhet fjalë për disa shigjeta të vogla, si gozhda, me majë të mprehtë si brisk, të cilat mbetën të mbërthyera në muret e shtëpive të granatuara. Emri i tyre është Flechette, që në gjuhën frënge i bie shigjetë dhe ato janë përdorur shumë pak, që prej zbulimit të tyre 100 vjet më parë.
Një nga banorët e Irpin u shpreh se këto shigjeta janë ngjitur aq fort në mure sa është e pamundur të nxirren me duar.
Ato janë të ngarkuara brenda granatave për ta bërë sa më shkatërrues efektin e shpërthimit, pra për të vrarë sa më shumë njerëz me një granatë dhe për të shkaktuar sa më shumë dëme në objekte, automjete, infrastrukturë e të tjera.
Përdorimi i tyre në luftë nuk është zyrtarisht i ndaluar, por me të drejtën humanitare, është i ndaluar përdorimi i tyre në në zona civile.
Përveç në Irpin, shigjeta u gjetën gjithashtu në trupat e njerëzve të vrarë në Bucha, në periferi e Kievit.
“Ekspertët mjeko-ligjorë gjetën shigjeta në trupat e banorëve të Buchas dhe Irpinit. Rusët i gjuajtën dhe i përdorën për të bombarduar ndërtesa banimi në qytete dhe periferi”, tha Lyudmila Denisova, ombudspersoni i të drejtave të njeriut në Ukrainë.
Flechette u shpikën në fillim të shekullit të kaluar, gjatë Luftës së Parë Botërore. Deri në pushtimin rus të Ukrainës, ato u përdorën rrallë në luftërat moderne.