Çka e lidh Limajn me privatizimin e tokave të ish-ndërmarrjes “Mirusha”?

Mirëpo, Limaj thotë se jo 12, as 10, por asnjë milimetër tokë të privatizuar të ish-ndërmarrjes “Mirusha”, nuk e bleu nga Ahmet Rrahmanaj.

Në një bashkëbisedim me Kiks Kosovën, ish-ministri i Transportit në kohën kur u bë privatizimi, mohon se ishte në dijeni për privatizimin e këtyre tokave, e aq më tepër që hyri në pazar me Ahmet Rrahmanajn.

Limaj ka refuzuar që të flasë për këtë çështje, me arsyetimin se deklaratat e Rrahmanajt janë shpifje.

Madje, ai ka insistuar se nuk ekziston asnjë fakt që e lidhë atë me tokën e ish-ndërmarjes “Mirusha”, prej së cilës u shpronësuan 8 hektarë tokë për shtrimin e autostradës “Ibrahim Rugova”, derisa u ideua që në një pjesë të saj të bëhet Zona Ekonomike e Malishevës.

Ky projek mori dritën e gjelbër gjatë kohës sa Limaj ishte zëvendëskryeministër në Qeverinë e koalicionit PAN, projekt për të cilin është duke u zhvilluar një proces gjyqësor.

Limaj i bindur se nuk ka të bëjë asgjë me pronat e ish-ndërmarjes “Mirusha”, është zotuar që do t’ia japë ekipit të emisionit autorizimin për të nxjerrë nga Drejtoria e Gjeodezisë dhe Kadastrës në Malishevë të dhënat e pronave që janë në pronësi të tij dhe familjarëve, në këtë komunë.

Pavarësisht, mohimit të Limajt, njeriu që privatizoi mbi 1 mijë hektarë tokë, Rrahmanaj, këmbëngul se mbi 10 hektarë të tokës së privatizuar ia kishte shitur Fatmir Limajt, me çmimin e njëjtë me të cilin e bleu nga AKM.

Rrahmanaj insiston se njëri nga blerësit ishte Fatmir Limaj, madje, ai pretendon se toka fillimisht kaloi në pronësinë e vëllait të vogël të Limajt, Florimit, për t’u bartur pastaj në emrin e Skënder Shalës, me të cilin Limaj ka lidhje gjaku.

Ciladoqoftë historia e këtyre hektarëve të tokës së privatizuar, në deklarimet e pasurisë të cilët filluan të bëhen publike nga viti 2010, 13 hektarë tokë figurojnë në secilin deklarim që Limaj e kishte bërë në Agjencinë Kundër-Korrupsion, gjatë kohës sa mbante poste publike.

Pronën e njëjtë, e cila deklarohet si pasuri e përbashkët dhe të cilës nuk i figuron viti i prejardhjes, e deklaroi edhe vëllai i Limajt, Demir Limaj.

Mirëpo, Demiri për dallim nga Fatmiri deklaroi 10 hektarë më pak, ani pse vlera mbeti e pandryshuar, 500 mijë euro.

Toka bujqësore prej 13 hektarësh në Banjë të Malishevës ka figuruar edhe në deklarimin e fundit të pasurisë që Limaj bëri në Agjencinë Kundër Korrupsion, herën e fundit kur ai mbante post publik si deputet. Mirëpo, edhe pas një dekade, vlera e kësaj toke ka mbetur e pandryshuar.

Pavarësisht faktit që Limaj e mohon se ai apo familja e tij të kenë blerë ndonjë milimetër tokë të privatizuar në Banjë, kështu nuk thonë dokumentet.

Kiks Kosova ka siguruar një kontratë të shitblerjes mes Durim e Florim Limajt e Sahit Zabelajt për rreth 1 hektarë tokë të ish-ndërmarrjes “Mirusha”.

Limaj ka pranuar që toka është në pronësi të djalit të tij, ashtu siç thuhet në kontratë, por ka mohuar se ajo tokë ishte ndonjëherë subjekt i privatizimit.

Kiksi ka kontaktuar me Sahit Zabelajn, i cili në këtë kontratë figuron si nënqiramarrës për 99 vjet të pronës me sipërfaqe prej mbi 800 ari, por Zabelaj ka refuzuar të japë detaje se nga kush e bleu ai tokën e privatizuar.