Një ndryshim strategjik me rëndësi historike dhe një tregues i frymës evropiane – kështu e përshkroi presidenti i Francës, Emmanuel Macron, marrëveshjen me Serbinë për blerjen e avionëve luftarakë francezë.
Me marrëveshjen me Francën për blerjen e 12 avionëve “Rafale”, Serbia, për herë të parë, do të ketë avionë perëndimorë për aviacionin e saj ushtarak, raporton REL.
Për ish-ministrin serb të Mbrojtjes, Dragan Shutanovac, ky është një sinjal se ky vend dëshiron të standardizohet me NATO-n sa i përket aviacionit ushtarak.
“Kjo është një pikë kthese për aviacionin tonë, si dhe një pikë kthese politike. Është, padyshim, mirë politikisht e edhe më mirë ushtarakisht”, thotë Shutanovac.
Serbia bashkëpunon me vendet anëtare të NATO-s përmes programit të Partneritetit për Paqe që nga viti 2006, por zyrtarët në Beograd këmbëngulin se vendi është ushtarakisht neutral.
Kur Ministria e Mbrojtjes e Serbisë njoftoi në muajin prill për negociatat me Francën për blerjen e avionëve “Rafale”, ajo tha se kjo nuk nënkupton ndryshim të orientimit ushtarak të vendit.
Shutanovac thotë se që nga fundi i viteve 1950 – kur në kohën e Josip Broz Titos, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dërguan një numër të caktuar avionësh luftarakë amerikanë – ish-Jugosllavia dhe më vonë Serbia zgjodhën kryesisht armë nga Lindja.
“Nuk ishte vetëm çështja e mbrojtjes së vendit, por, në njëfarë mënyre, edhe një sinjal politik, në të cilin gjendej praktikisht Jugosllavia në atë kohë, e më vonë edhe Serbia”, thotë Shutanovac për Radion Evropa e Lirë.
Viteve të fundit, Serbia u përball vazhdimisht me kritika nga Brukseli dhe Uashingtoni, për shkak të blerjes së armëve dhe pajisjeve ushtarake nga Rusia dhe Kina.
Sipas Ministrisë serbe të Mbrojtjes, ky vend, viteve të fundit, siguroi avionë modernë, sisteme raketore dhe elektronike, radarë dhe mjete luftarake nga vende të ndryshme, si: Rusia, Kina, Shtetet e Bashkuara, Spanja dhe Franca.
Blerje me vlerë gati tri miliardë euro
Blerja e 12 avionëve francezë dhe e mallrave dhe shërbimeve shoqëruese kap vlerën e 2.7 miliardë eurove.
Sipas presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, kjo është ndarja më e madhe e parave nga buxheti ushtarak i Serbisë.Shutanovac, i cili është udhëheqës i Këshillit joqeveritar për Politika Strategjike në Beograd, beson se blerja e avionëve “Rafale” nuk është e diskutueshme, sepse Serbia “do të mbetej së shpejti pa aviacion luftarak, nëse blerja e avionëve të rinj nuk do të fillonte në kohën e duhur”.
Për të, vendimi për blerjen e këtyre avionëve është sa politik, aq edhe mbrojtës.
“Politik, sepse Franca, kohët e fundit, ka treguar një mirëkuptim shumë më të madh për Serbinë dhe interesat e saj. Nga ana tjetër, ata avionë janë të tillë që do të garantojnë sigurinë e qiellit mbi Serbi, në dekadat e ardhshme”, thotë Shutanovac.
“Nëse Serbia nuk do të kishte avionë të tillë në perspektivë, do të ekzistonte mundësia që qiejt tanë të mbroheshin nga dikush tjetër”, shton ai.
Sipas prodhuesit, avionët “Rafale” mund të kryejnë sulme ajër-tokë, si dhe sulme ajër-ajër dhe përgjime gjatë të njëjtit fluturim.
Në ueb-faqen e prodhuesit thuhet, gjithashtu, se avionët “Rafale” mund të fluturojnë pa u vënë re në hapësirën ajrore të armikut.Serbia dhe Franca kanë të zhvilluar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.
Nga kompanitë franceze, “Airbus Serbia” bleu helikopterë me vlerë 105 milionë euro, dy avionë transportues C-295 me një çmim prej 66 milionë eurosh, plus 15 milionë euro për pajisje dhe trajnim të pilotëve, si dhe 18 sisteme kundërajrore “Mistral” me 50 raketa.
Garanci se nuk do të përfundojë në “duart ruse”
Në një konferencë të përbashkët për shtyp, këtë javë në Beograd, Macron dhe Vuçiq theksuan se marrëveshja për avionët “Rafale” vjen me garancitë se teknologjia e mbrojtjes perëndimore, nuk do të përfundojë në duart ruse.
“Të jeni të sigurt se ne bëmë gjithçka ashtu siç duhet, si me vendet e tjera që kemi bërë. Ka garanci dhe kam besim se ajo që e kemi vendosur, do të mbetet ashtu”, tha Macron.
Vuçiq tha se “për asgjë në botë, nuk do të ofronte transferim të teknologjisë”.
Serbia, që nga viti 2016, bleu në mënyrë intensive pajisje ushtarake dhe armë nga Rusia.
Prej se Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, ajo nuk bëri ndonjë kontratë të re për prokurimin e armëve, ndërsa disa nga dërgesat e mëparshme nuk i mbërritën, për shkak të luftës në Ukrainë.
Megjithatë, në shkurt, në Ditën e Shtetësisë, ajo shfaqi sistemin anti-dron për pengim elektronik, “Repelent”, nga Rusia, i blerë për nevojat e ushtrisë.
Atë sistem e prezantoi Vuçiq, i cili nuk specifikoi se kur është importuar, por tha se Serbia “e ka paguar shumë kohë më parë”.Serbia nuk iu bashkua sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë nga Bashkimi Evropian dhe vendet e tjera perëndimore, për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Por, në të njëjtën kohë, ajo e dënon vazhdimisht agresionin rus dhe dërgon ndihma humanitare në Ukrainë.
Një “dëshirë e vogël” për t’u distancuar nga Moska dhe për t’u afruar me BE-në
Para Serbisë, avionë “Rafale” bleu Kroacia, e cila ndau rreth një miliard euro për 12 avionë të përdorur.
Nga vendet e tjera në afërsi të Serbisë, “Rafale” ka edhe Greqia.
Vuçiq e falënderoi Macronin dhe tha “se jemi të lumtur që bëhemi pjesë e klubit ‘Rafale’”.
Fakti që Serbia po bëhet pjesë e klubit “Rafale” për ish-ambasadorin serb në Francë, Radomir Dikliq, është një lëvizje që shpreh “dëshirën e vogël të presidentit Vuçiq për t’u distancuar pak nga Rusia dhe për t’u afruar me Perëndimin”.
“Në anën tjetër, kjo i përshtatet shumë Francës, jo vetëm ekonomikisht, por edhe politikisht, sepse tani po pozicionohet si një vend që ka ndikim të madh në Serbi”, thotë Dikliq për Radion Evropa e Lirë.
I pyetur se përse e konsideron si një dëshirë të vogël, Dikliq thotë se “Vuçiq nuk e formulon kurrë plotësisht qëndrimin e tij politik”.
“Ai gjithmonë lë një hapësirë boshe, ku mund të kthehet më vonë, për t’u ulur shpejt nga një karrige në tjetrën”, thotë Dikliq.Vuçiq përsërit vazhdimisht se angazhimi strategjik i Serbisë është anëtarësimi në BE, por, gjithashtu, thekson se Serbia nuk do të heqë dorë nga lidhjet e saj të ngushta me Rusinë dhe Kinën, si dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në vitet para pushtimit rus të Ukrainës, Vuçiq mbajti lidhje të ngushta edhe me presidentin rus, Vladimir Putin.
Serbia i nisi negociatat për anëtarësim në BE në fillim të vitit 2014.
Megjithatë, grupin e fundit të kapitujve e hapi në dhjetor të vitit 2021, para luftës në Ukrainë.
Ngecja në proces ndodh kryesisht për shkak të mospërputhjes me politikën e jashtme të BE-së, e sidomos për shkak të mosvendosjes së sanksioneve kundër Rusisë.