Clinton: Kosova me dy gra presidente të përkushtuara në fuqizimin e gruas dhe forcimin e paqes

Në Forumin Ndërkombëtar për Paqen, Sigurinë dhe Gratë, organizuar nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mori fjalën edhe sekretarja e 67-të e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Hillary Clinton, shkruan Reporteri.net.

“Më kujtohet mirë vizita që kam bërë në kampet e refugjatëve në Maqedoni. Pasi Bill (Clinton) thirri NATO-n që të ndalë atë spastrim etnik, si sekretare e Shtetit unë kam përcjell e mbështet progresin që është arritur. Forumet si kjo janë të rëndësishme. Gratë nuk janë vetëm viktima të dhunës dhe pabarazisë, por janë agjente të paqes. Jam e lumtur që do të punoni me DASH-in për themelimin e qendrës rajonale të ekselencës”, ka thënë Clinton.

“Ju keni zgjedhur presidenten e parë dhe tani të dytën që janë të përkushtuara për ruajtjen dhe forcimin e paqes, zgjerimin e mundësive ekonomike dhe duke dëshmuar që bashkëpunimi sjellë më shumë rezultat”, ka thënë Hillary Clinton.

Clinton organizimin e këtij forumi e ka cilësuar si vendosmëri për forcim të grave.

“Gratë nuk janë vetëm viktima të dhunës, gratë posaçërisht në Kosovë, kanë luajtur rol tepër të rëndësishëm gjatë gjithë këtyre viteve, jam e lumtur për themelimin e kësaj qendre të ekselencës, demokracitë tona janë më të fuqishme kur gratë përfshihen. Ju tashmë keni dy presidente gra në Kosovë. Jam e emocionuar të shoh se si ky forum ka arritë synimet e tij, unë jam e përkushtuar për të qenë pjesë e arritjeve dhe përpjekjeve për fuqizimin e gruas”, ka deklaruar Clinton.

Ndërkaq fjalimi i saj është pritur me duartrokitje dhe ngritje në këmbë të pjesëmarrësve në Forum.