Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiç, ka komentuar informacionet për “planfikimin e atentatit” ndaj Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe tha se i kanë marrë nga “burime kredibile”.
Këto informacione, thotë Daçiç, kanë ardhur nga Europol (Policia Evropiane), dhe se “po të kishin qenë trillime”, ky institucion do t’i kishte mohuar ose përgënjeshtruar.
“Qartazi, ata s’do të na i kishin dhënë këto informacione po të mos kishin qenë kredibile”, ka deklaruar ai në Pink TV.
Sipas tij, Europol informacionin për atentatit e përgatitur ndaj Vuçiç, e ka marrë nga shërbimi i inteligjencës së një vendi anëtar të Bashkimit Evropian, që, sipas mendimit të tij, është gjithashtu “burim kredibil”.
“Ministri Vulin sigurisht se nuk do ta kishte thënë këtë gjë po të mos kishte qenë e vërtetë. Edhe Europol do ta kishte mohuar po të mos kishte qenë e vërtetë”, deklaroi Ivica Daçiç.
Kryeparlamentari serb thotë se, “për aq sa di unë, kjo është hera e parë që kur Serbia bashkëpunon me Europol, të merr një informacon zyrtar të kësaj natyreje”.
Ai gjithashtu bëri thirrje të “ndalohen komentet e pahijshme” rreth këtij informacioni.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një konferencë të jashtëzakonshme për media, lajmëroi se shteti i Serbisë ka pranuar informacione për përgatitjen e likudimit të tij.
“Kam marrë informacionin dhe sapo e lexova, është dërguar nga një vend evropian. Informacion operacional me shumë detaje. Nuk mendoj se njerëzit janë të interesuar në këtë gjë sepse kanë problemet e tyre, dhe nuk dua tjetër të jetojnë me problemet e mia e as të askujt tjetër”, deklaroi ai të shtunën.