Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, ka vlerësuar se vendimi për nisjen e procedurës për shqyrtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës ishte i pritshëm.
Ai ka theksuar se kjo është një ditë për të cilën “Këshilli i Evropës do të turpërohet” dhe tha se delegacioni i Serbisë, i cili votoi kundër, u largua nga salla pas votimit.
Daçiq në agjencinë serbe të lajmeve Tanjug është shprehur falënderues ndaj Qipros, Spanjës, Rumanisë, Azerbajxhanit dhe Gjeorgjisë, e veçanërisht ndaj Hungarisë që e njohu pavarësinë e Kosovës dhe sot votoi kundër.
“Në anën tjetër, jemi vërtet të zhgënjyer me qëndrimin dhe qasjen e Greqisë dhe Sllovakisë, si anëtare të BE-së, të cilat ishin të përmbajtura, para së gjithash për shkak se dëgjuam prej tyre se nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Gjithashtu dua t’ju kujtoj se Bosnja dhe Hercegovina ishte e përmbajtur, imagjinoni këtë ironi, imagjinoni nëse Republika Srpska do të aplikonte për anëtarësim tani, çfarë ironie dhe paturpësie do të ishte kjo dhe neve po na ligjërohet se po ndikojmë në shkatërrimin e integritetit territorial të Bosnjë-Hercegovinës. Ata drejtpërdrejt po marrin pjesë në shkatërrimin e integritetit territorial të Serbisë”, potencoi Daçiç.
Ai theksoi veçanërisht qëndrimin e Ukrainës, duke deklaruar se ajo ishte e përmbajtur.
“Shikoni sa vështirësi kemi për të mbrojtur integritetin territorial të Ukrainës, sa tensionohemi dhe votojmë kudo dhe justifikohemi sepse dikush na akuzon se nuk e mbështesim sa duhet integritetin territorial të Ukrainës dhe Ukraina voton me përmbajtje kur bëhet fjalë për integritetin tonë territorial. Absolutisht e papranueshme. Armenia gjithashtu nuk ishte në sallë kur u zhvillua votimi. Ne nuk prisnim lëvizje të tilla nga ato vende”, tha Daçiq.
Kur është fjala për Malin e Zi, Daçiç thotë se ai vetë nuk e di nëse është i befasuar apo jo.
“Më duhet të them se sigurisht që do të lërë disa pasoja në marrëdhëniet tona”, shtoi ai.
Kryediplomati serb theksoi se “ky është një mësim për Serbinë” që nuk duhet të humbasë kurrë shumicën në OKB.
Ndryshe, të hënën aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës ka kaluar fazën e parë.
Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës (KIE), vendosi të miratojë kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në këtë mekanizëm, gati një vit pasi vendi ynë paraqiti kërkesën e saj për anëtarësim në mekanizmin prej 46 vendesh.
Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, ka zbuluar mënyrën se si kanë votuar shtetet.