Dështon armëpushimi! Izraeli bombardon Gazën, 330 viktima

Armëpushimi i brishtë i Gazës u shkatërrua herët këtë të martë, pasi Izraeli kreu ato që i përshkroi si “sulme të gjera” ndaj objektivave të Hamasit. Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu u zotua të përdorë “rritje të fuqisë ushtarake” kundër grupit militant dhe Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz deklaroi: “Sonte u kthyem në luftime në Gaza”.

Hamasi akuzoi Izraelin për përmbysjen e marrëveshjes gati dy mujore të armëpushimit dhe për “vënien e pengjeve në Gaza në rrezik të një fati të panjohur”.

Kjo ishte vala më e madhe e sulmeve që goditi Gazën që nga fillimi i armëpushimit më 19 janar.

Izraeli akuzoi Hamasin se “në mënyrë të përsëritur” refuzoi të lirojë pengjet dhe refuzoi ofertat e ndërmjetësimit.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, sulmet e Izraelit kanë vrarë mbi 330 njerëz dhe kanë plagosur qindra të tjerë. Shumë prej viktimave besohet se janë të regjistruara në Khan Younis. Mes të vdekurve ka edhe disa fëmijë. Mbrojtja Civile e Gazës tha se njerëzit ishin “të bllokuar nën rrënojat e shtëpive që u bombarduan në zona të ndryshme”.

Izraeli u konsultua me administratën Trump përpara sulmeve në Gaza. “Hamasi, Houthi-t, të gjithë ata që kërkojnë të terrorizojnë jo vetëm Izraelin, por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të paguajnë çmimin”, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt.

“Të gjithë terroristët në Lindjen e Mesme duhet ta marrin seriozisht presidentin kur ai thotë se ai nuk ka frikë të mbrojë Shtetet e Bashkuara dhe aleatin tonë Izraelin. Portat e ferrit do të hapen në Gaza”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.