Detaje nga Policia, ja çfarë u konfiskua në aksionin e Pejës, Klinës, Deçanit dhe Istogut

Policia e Kosovës ka njoftuar se në aksionin e djeshëm në Pejë, Deçan, Klinë dhe Istog, janë arrestuar dhjetë zyrtarë komunalë, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Sipas njoftimit të policisë, ata dyshohen se kanë lëshuar leje ndërtimi në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Poashtu, nga PK-ja kanë konfirmuar se në këtë aksion janë konfiskuar tri shtëpiza kompjuterike, një laptop, 11 telefona mobil, katër CD dhe disa foldere me dokumente të ndryshme.

Me vendim të prokurorit, këta zyrtarë janë dërguar në mbajtje.

“Pejë, Klinë, Deçan dhe Istog (NN) 2018/2019 – NN. Janë arrestuar tetë meshkuj kosovarë dhe dy femra kosovare që të gjithë zyrtarë komunalë, nën dyshimin se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare, ku kanë lëshuar leje ndërtimi në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Si prova materiale janë konfiskuar tri shtëpiza kompjuterike, një laptop, 11 telefona mobilë, katër CD dhe disa folderë me dokumente të ndryshme. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.