Dhjetëra banorë të fshatrave Kërçisht i Sipërm dhe i Poshtëm në Dibër kanë protestuar për të disatën herë. Ata kundërshtojnë marrjen e ujit të fshatrave ndërsa thonë se do të protestojnë me çdo formë për të ndaluar firmën e ndërtimit për të marrë burimin. Pavarësisht protestave bashkia ka zgjedhur që të heshtë.
Banorët e fshatrave Kërçishtit i Sipërm dhe i Poshtëm në Dibër kanë vijuar protestën e tyre në mbrojtje të burimit të ujit të cilin Bashkia Dibër kërkon ta marrë nëpërmjet një projekti për furnizim me ujë të pijshëm të Maqellarës.
Burra, gra e fëmijë kanë dalë sërish këtë të hënë në rrugë për të ndaluar nisjen e punimeve pas njoftimit se do të shkonin mjetet e firmës që ka fituar zbatimin e projektit.
“Ne këtu do të vdesim, do bëhemi kufoma të gjithë. Ujin nuk e marrin më.
Në korrik e gusht ne s’kemi pikë uji,” thonë banorët.
Kjo është hera e disatë që banorët e fshatrave protestojnë, ndërsa ata nuk kanë dërguar as fëmijët e tyre në shkollë.
Pavarësisht protestave të vazhdueshme të banorëve atje institucionet dhe bashkia kanë zgjedhur që të heshtin përballë atyre që i kanë zgjedhur.