“Diçka e ulët dhe e paprecedentë rrjedhja e informacionit Macron-Morrison për Aukus”

Ambasadori francez në Australi, Jean-Pierre Thébault, e ka dënuar lëshimin e qeverisë australiane të një mesazhi privat me tekst nga Emmanuel Macron si “një gjë e ulët dhe e paprecedentë”, duke argumentuar se liderët e tjerë botërorë tani do të shqetësoheshin se fjalët e tyre mund të “ktheheshin në armë” kundër tyre.

Jean-Pierre Thébault tha se rrjedhja e mesazhit ishte një pengesë “për sa i përket së vërtetës dhe besimit” dhe do të ishte “e trishtueshme” nëse kjo ishte përgjigjja e qeverisë australiane ndaj kërkesës së Francës për veprime konkrete për të shëruar marrëdhënie.

Kryeministri australian, Scott Morrison, u tha gazetarëve në Dubai të mërkurën se ai “kurrë nuk do të kërkonte falje” për anulimin e kontratës me Francën për dërgimin e nëndetëseve që “nuk do të bënin punën që Australia kërkonte”.

Morrison nuk kundërshtoi një sugjerim se zyra e tij kishte nxjerrë mesazhin me tekst, duke thënë se, “pretendimet ishin bërë dhe ato pretendime u hodhën poshtë. Ajo që nevojitet tani është që ne të vazhdojmë përpara”.

Përçarja e jashtëzakonshme midis Australisë dhe Francës rrjedh nga akuza e Macron se Morrison e gënjeu mbi planet me SHBA-të dhe Britaninë e Madhe për të blerë nëndetëse me lëvizje bërthamore, si një zëvendësim për projektin francez prej 90 miliardë dollarësh.

Morrison hodhi poshtë pretendimin e Macron-it dhe disa media australiane raportuan më pas se presidenti francez i kishte dërguar mesazh kryeministrit australian dy ditë përpara njoftimit të Aukus në mes të shtatorit për të pyetur: “A duhet të pres lajme të mira apo të këqija për ambiciet tona të përbashkëta të nëndetëseve?”

Ndër të tjera, Thébault theksoi se teksti “dëshmon se deri në minutën e fundit, ne nuk e dinim se ku po shkonin gjërat”.

Presidenti Joe Biden, në një konferencë online me kryeministrin australian Scott Morrison dhe kryeministrin britanik Boris Johnson, duke prezantuar nismën e sigurisë kombëtare Aukus, e mërkurë 15 shtator 2021.
Ambasadori francez përballë Klubit Kombëtar të Shtypit në Canberra tha se rrjedhja e tekstit nuk do të ndihmonte në ndërtimin e besimit për t’i riparuar marrëdhëniet.

I pyetur nëse Morrison duhet t’i kërkojë falje Macron – sugjerim i ish-kryeministrit Malcolm Turnbull – ambasadori tha se SHBA-të kishin ndërmarrë hapa konkretë për të përmirësuar lidhjet mbi atë që Joe Biden e quajti si një trajtim “të ngathët” të partneritetit Aukus.

Ambasadori francez u tërhoq në Paris, në shtator, pasi Australia anuloi marrëveshjen me Francën për të nisur një studim 18-mujor me SHBA-të dhe Britaninë e Madhe për blerjen e nëndetëseve me përmbartje bërthamore.

Kryeministri australian, Scott Morrison, dhe presidenti francez Emmanuel Macron.
Pasi u kthye tani në Canberra, Thébault tha se qeveria Morrison kishte vepruar në një mënyrë që ishte “jashtë kësaj bote” dhe që nuk u përshtatej miqve dhe ai vuri në dyshim nëse ndonjë partner tjetër tani mund t’i besonte “vlerës së nënshkrimit dhe angazhimit të Australisë”.

Thébault ngriti gjithashtu dyshime nëse partneriteti i ri i Australisë me SHBA-të dhe Britaninë e Madhe do të dërgonte nëndetëse me shtytje bërthamore mjaft shpejt.

Nga ana tjetër, Ambasadori vuri në dukje se qeveria australiane do të merrte vendimet e saj kur bëhet fjalë për sigurinë kombëtare.

Thébault tha se projekti i mbështetur nga “Naval Group” për të ofruar 12 nëndetëse konvencionale nuk ishte “i trazuar”, ose nuk kishte pësuar goditje me kosto, pavarësisht nga një “fushatë intensive njollosjeje” në lidhje me programin.

Në përfundim, ai deklaroi se, “Franca do të jetë gjithmonë një mike e ngushtë dhe besnike e Australisë”.