Diktatori mizor i Çeçenisë, i mbështetur nga Moska, thotë se e ka caktuar djalin e tij 16-vjeçar mbikëqyrës të një shkolle trajnimi të forcave speciale çeçene në Gudermes.
Adam Kadyrov u bë i njohur në gusht të vitit të kaluar, pasi në internet u postua një video ku ai shfaqet duke e rrahur adoleshentin rus, Nikita Zhuravel, i cili ishte arrestuar për djegien e Kuranit.
Pas incidentit, ndaj tij pati çmime dhe nderime, duke përfshirë një për “kontributin e tij të rëndësishëm personal në forcimin e Islamit dhe mbrojtjen e vlerave të tij”.
“Vendosa të caktoj Adam Kadyrov si mbikqyrës, ai është i njohur nga afër me aktivitetet e universitetit të njohur, kështu unë besoj se do të përballojë në mënyrë të përsosur përgjegjësitë e tij të caktuara”, ka shkruar Kadyrov në Telegram.
Të afërmit dhe miqtë e Ramzan Kadyrov marrin rregullisht çmime në nivele dhe pozicione të ndryshme në Çeçeni.
Vajza e dytë e Kadyrov, Khadizhat 24-vjeçare, u emërua nënkryetare e parë e administratës së qeverisë së Çeçenisë.
Vitin e kaluar, Ramzan Kadyrov i ka ndarë vetes medaljen “Heroi i Çeçenisë”.
Medalja që mori Kadyrov më 24 shkurt ishte krijuar nga vetë ai për të “nderuar çeçenët” që marrin pjesë në pushtimin rus të Ukrainës, që ka nisur në shkurt të vitit 2022.
Kadyrov kishte dërguar në Ukrainë edhe anëtarë të grupit të tij për të luftuar përkrahë forcave të rregullta ruse, dhe është raportuar se ai personalisht ka qëndruar në Ukrainë në marsin e vitit 2022.
Megjithatë, Kadyrov shpesh ka qenë kritik edhe ndaj komandantëve të lartë rusë lidhur me mënyrën se si kanë udhëhequr pushtimin e Ukrainës.