Djemtë e ish-deputetit Tom Doshi rrahen me policët, i bëjnë për spital

2 djemtë e ish-deputeti Tom Doshi janë shpallur nga kërkim nga policia pasi kanë rrahur një punonjës policie në Tiranë. James dhe Marcos Doshi, janë shpallur në kërkim sot nga policia të akuzuar se kanë rrahur një person dhe më pas kanë dhunuar edhe efektivët e policisë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në rrugën “Ismail Qemali”. Fillimisht dy djemtë e Doshit janë konfliktuar me një person. Pak minuta më pas në vendin e ngjarjes kanë ardhur disa efektivë policie, të cilët sipas bluve të Tiranës kanë kërkuar sqarimin e rrethanave të ngjarjes, por pas kësaj, dy djemtë e ish-deputetit, Markos dhe James Doshi kanë filluar të godasin edhe policët duke iu shkaktuar dëmtime fizike.

Bashkë me ta ishte edhe një person të tjetër që është kapur nga policia, ndërsa Markos dhe James Doshi kanë ikur nga vendi i ngjarjes duke u shpallur në kërkim.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. L., 34 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës”, “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Prishja e qetësisë publike”. Gjithashtu, shpallën në kërkim për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Goditja për shkak të detyrës”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik” dhe “Prishja e qetësisë publike”, të kryera në bashkëpunim, shtetasit M. D., 20 vjeç dhe J. D., 22 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Këta 3 shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta, në rrugën “Ismail Qemali”, kanë goditur me sende të forta shtetasin R. S., 38 vjeç, dhe më pas nuk i janë bindur urdhrave të punonjësve të Policisë, për të ndaluar, por i kanë kundërshtuar ata, duke i goditur për shkak të detyrës. Shtetasi E. L. është vënë në pranga, ndërsa shtetasit M. D. dhe J. D. janë larguar. Vijon puna për kapjen e tyre“, njofton policia.