“Lajmin për marrjen e statusit kandidat nga Bosnjë dhe Hercegovina nuk e mora as me gëzim e as me trishtim, por me një ndjenjë letargjie, gjë që i ngjan vetë procesit të integrimit evropian”.
Kështu ka deklaruar lideri nacionalist i serbëve të Bosnjë dhe Hercegovinës, Milorad Dodik, në një intervistë për agjencinë shtetërore të lajmeve në Rusi “Sputnik”.
Dodik vlerësoi se Bashkimi Evropian (BE) e shpërbleu Bosnjë dhe Hercegovinën për ta larguar nga ndikimi rus dhe s’ka të bëjë me “standardet apo vlerat evropiane”.
“Ata po përpiqen të tërheqin të gjithë Ballkanin në anën e tyre, por kjo sigurisht që nuk do të ndryshojë asgjë. Ne do të vazhdojmë të mbajmë marrëdhënie të mira me Federatën Ruse. Dhe me të gjitha vendet e tjera, sigurisht. Dhe me BE-në. Do të shohim se si do ta trajtojnë këtë qasje”.
“Fakti që është ende një protektorat ndërkombëtar tregon se është një vendim politik dhe jo se Bosnja dhe Hercegovina i ka përmbushur standardet dhe kushtet e kërkuara”, shtoi ai.
Anëtarësimi i Bosnjë dhe Hercegovinës në BE, sipas tij, nënkupton “humbjen e sovranitetit, të cilin shteti ia dorëzon Brukselit” dhe si diçka “që u shërben zyrtarëve në Bruksel të mburren se kanë bërë ndonjë gjë, por nuk kanë bërë asgjë”.
Madje, siç pretendoi ai, derisa Bosnjë dhe Hercegovina të bëhet anëtare me të drejta të plota, BE-ja do të pushojë së ekzistuari.
“Sa do të vazhdojë, sa do ta durojnë njerëzit, a do të zgjasë Evropa. Në thelb, një miku im të cilin e respektoj shumë dhe që ka qenë prej kohësh në politikë, thotë se kur të arrijmë në BE, ajo do të shpërbëhet. Pra, edhe ky është një variant, do të shohim se çfarë do të ndodhë”.