Anëtari i Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës Milorad Dodik ka reaguar ndaj deklarimeve të shefit të diplomacisë së Kosovës në detyrë Behgjet Pacolli drejtuar presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq për njohjen e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran.
Pacolli ka thënë në një intervistë për TV Face të Sarajevës se me Serbinë mund të diskutojnë për gjithçka, me përjashtim të tri gjërave: pavarësisë së Kosovës, Kushtetutës së Kosovës dhe kufijtë.
“Vuçiq, keni vetëm një shans, ta njihni Kosovën. Ky është realitet. Kosova është e pavarur dhe nuk ka kthim mbrapa. Kjo është zgjidhja e vetme dhe të gjitha të tjerat do të shkojnë më lehtë”, është shprehur ndër tjera Pacolli.
Por, Dodik nuk i kanë pëlqyer këto deklarata duke thënë se “Pacolli është njeri i cili nuk mund t’i mbajë askujt leksione dhe se kërcënimet e tij janë të papranueshme”.
“Kosova nuk është vetëm ajo që mendojnë shqiptarët, por është edhe Rezoluta 1244, këto janë standarde përpara statusit, siç u diskutua më herët, një komunitet i komunave serbe që do të formohet sipas marrëveshjes së Brukselit. E gjithë kjo duhet të jetë një parakusht për çdo vazhdim të dialogut, jo vetëm pikat që ata mendojnë se sot duhet të zgjidhen”, tha Dodik.
Sipas tij, Republika Serbe është absolutisht kundër situatës në lidhje me statusin e Kosovës dhe se Bosnja nuk e ka njohur dhe se nuk e ka ndërmend ta njohë Kosovën.
“Kjo natyrisht vetëm pasi që Republika Serbe nuk e dëshiron këtë (njohjen e Kosovës), sepse ne nuk duam të kemi standarde të dyfishta në këto fusha”, tha Dodik.