Dodik fton Gjukanoviqin të shtyjë vizitën në Bosnjë, e quan anti-serb

Anëtari i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Millorad Dodik, ka thënë se do të ishte mirë që presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, të shtyjë vizitën në Bosnjë, e planifikuar për fillim të marsit.

Sipas Dodikut, Gjukanoviq ka dëshmuar në shumë raste se është kundër Serbisë dhe serbëve.

Ai në një intervistë për “Avaz”, ka thënë se politika e Malit të Zi është anti-serbe, që kur e njohu pavarësinë e Kosovës, transmeton Koha.net.

“Askush nuk është kundër që Gjukanoviq të vizitojë Bosnjën, por janë disa pyetje politike e morale – si mundet një serb, derisa populli ynë atje po proteston, të vijë në Sarajevë dhe të tregojë se çfarë do ai. Bëhet fjalë për të njëjtin popull”, ka thënë Dodik.

Ai ka treguar se më herët u ka nisur letër deputetëve malazezë që të shtyjnë miratimin e ligjit për fetë.

“Si është e mundshme që pushteti malazez të arrijë marrëveshje me komunitetet hebreje, islame e katolike, e të mos arrijë marrëveshje me Kishën Ortodokse Serbe për pasurinë që i është marrë”, ka thënë Dodik, që së fundi ka paralajmëruar edhe ndarjen e Republika Sërpskas nga Federata e Bosnjë-Hercegovinës.