Vëllai vrau vëllanë në kryeqytet. Ngjarja tragjike ndodhi mbrëmë në rrugën “Tirana”.
Për motive ende të panjohura i dyshuari Gent Myftari theri me thikë vëllain e tij, Auron Myftarin.
Si shkak i goditjeve të shumta që mori, Auron Myftari nuk arriti t’u bëjë ballë plagëve të marra.
Në lidhje me këtë rast, nga Policia e Kosovës bën të ditur se të dyshuarin e kanë arrestuar pas trajtimit që mori në Klinikën Emergjente në QKUK.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që me mjet të mprehtë-thikë kishte goditur disa herë viktimën mashkull kosovar. Në vendin e ngjarjes, njësia e Urgjencës ka bërë konstatimin e vdekjes së viktimës si dhe të dyshuarit i është dhënë tretman mjekësor pasi kishte lëndime trupore. Në vendin e ngjarjes kanë dal edhe prokurori kujdestar dhe njësia e IML-së. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit kujdestar i dyshuari është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë”.
Për rastin janë deklaruar edhe nga Prokuroria, thanë se ende nuk i dinë motivet.
“Prokurorja kujdestare ka dalë në vendin e ngjarjes dhe së bashku me hetuesit policor kanë ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me urdhër të prokurorit të shtetit është bërë sigurimi i vendit të ngjarjes nga Policia e Kosovës, po ashtu me urdhër të Prokurorit trupi i pa jetë i gjetur në vendin e ngjarjes është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për të iu bërë Autopsia”, thuhet në njoftimin për media.
Rasti po hetohet në drejtim të veprës penale “Vrasja e Rendë” si dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Si rrjedhojë dorasi është dërguar në mbajtje.
E viktima dhe dorasi në këtë rast janë vëllezër të regjisorit të njohur kosovar, Agron Myftari. Sipas lajmit, ata vinin nga familja artistësh, pasi ishin djemtë e aktorit të njohur Hazir Myftari.
Kurse Agron Myftari përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se nesër i jepet lamtumira e fundit Auronit.
Ai do të varroset tek varrezat në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, ndërsa nuk janë hapur të pame.
“Ju njoftojmë se varrimi i Auron (Hazir) Myftarit do të bëhet nesër (29 tetor 2024) me namazin e drekës (ora 12:00), në varrezat e qytetit në Arbëri. Njëkohësisht, ju njoftojmë se për shkak të rrethanave, familja nuk do të hapë të pame. Pritja do të bëhet vetëm në varreza.” – shkroi Myftari.