“E papranueshme”: Luftanija ruse kalon në ujërat daneze

Një anije luftarake ruse ka kaluar dy herë ujërat territoriale daneze në veri të ishullit Bornholm në Detin Baltik, ku po zhvillohej një festival demokracie ku morën pjesë ligjvënës të lartë dhe biznesmenë, raportoi të shtunën The Guardian.

Danimarka e quajti veprimin, një provokim të papranueshëm.

Luftanija ruse hyri në ujërat daneze pa autorizim të premten dy herë, thanë forcat e armatosura në një deklaratë. Anija luftarake u largua pasi marina daneze vendosi kontakt me radio.

“Një provokim rus thellësisht i papërgjegjshëm dhe krejtësisht i papranueshëm”, tha ministri i jashtëm i Danimarkës, Jeppe Kofod, në Twitter.