Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, mbrëmë ka ngitur shqetësimin se pjesëtarët e komuniteteve pakicë në Kosovë po refuzohen të shërbehen në disa lokale të gastronomisë në vend. Ai është informuar se një rast i tillë ka ndodhur të shtunën mbrëma në një lokal në Gjakovë.
Për këtë rast ka folur për Gazetën Express një dëshmitar nga vendi i ngjarjes dhe një nga pronarët e lokalit, në të cilin pretendohet se ka ndodhur rasti.
Dëshmitari pretendon se ishte në lokal me gruan dhe vajzën e tij kur një grup të rinjsh nga komuniteti egjiptian nuk u lejuan të qëndronin në lokal. Por nga lokali mohojnë se ka ndodhur një gjë e tillë, sipas tyre, ky lokal shërben gjithnjë komunitetet.
Sipas dëshmitarit, i cili kërkoi të mbetej anonim, të rinjve iu kërkua dëshmia e vaksinës kundër Covid-19, ndërsa atij nuk ia kishin kërkuar anipse thotë se në lokal arriti rreth 10 minuta para të rinjve.
“Isha unë me shoqen dhe me çikën, mua ma krynë shërbimin, as nuk më pyetën për vaksinë as për asnjë send. Ndërkohë, brenda 10 minutave, sa isha unë aty erdhën 4-5 persona të komunitetit tonë egjipitan, edhe kur i shoh ata si ta çelin derën, ulën në fund te dera, qaq që ndihen qysh ndihen, e çelin derën menjëherë ulën dhe unë automatikisht e bëjë një foto që ta shoh se si po reagojnë, për shkak se pak me hërët e kemi pas edhe një rast një djal që u dal edhe ai nëpër rrjete sociale duke tregu që e kanë largu prej kafeterisë, edhe unë prita menjëherë që kanë me i largu edhe këta djemt dhe e bëra foton. Ndërkohë, erdhi kamarieri, s’di çka foli me ta dhe këta djemt dolën përjashtë. Kur këta djemt dolën përjashtë, unë dola vrap pas tyre, se bëhej fjalë për komunitetin tim dhe unë mundohem për komunitetin tim për shkak që të mos na cenohen të drejtat tona dhe të paktën edhe në jemi pjesë e Kosovës. Edhe ne jemi të lindur e të rritur në Kosovë, kështu që unë tentova shkova pas këtyre djemve”, tha ky person për Gazetën Express, i cili pretendon se ishte në vendin e ngjarjes.
Tutje, ai thotë se u mundua t’i bindte të rinjtë që të ktheheshin në lokal, por sipas tij, djali i pronarit të lokalit ju tha “ecni nga këtu”.
“Ata më thanë na qitën jashtë, i thash pse, më thanë se s’kemi vaksina, unë i thash mua s’më pyetën për vaksina, e juve po. Ju thash ec kthehuni brenda, edhe jut hash këmbëngulni rrini aty derisa t’ju shërbejnë. Njëri nga ta këmbëngulte me hy brenda, por këta tjerët nuk pranojshin se komunitet më….Njëri prej tyre e thirri policinë, policia ju përgjigj, i tha nuk kemi çka me ju bë. Edhe më pas doli djali i pronarit, e kam dëgju t’u ju thënë ecni tash prej ktuhit, s’jemi ka dojmë me ju lënë, eci. Djali i pronarit ka dalë te dera, lypne kamerën nga ora 20:00 deri në 21:00, të shtunën në mbrëmje”, u shpreh ai tutje për Gazetën Express.
Për këtë ai thotë se lokali duhet t’i kërkojë falje publike komunitetit.
“Duhet me dalë pronari i lokalit me kërku falje publikisht për komunitetin. Duhet më dalë publikisht me kërku falje komunitetin sepse kjo është cënim, edhe djali u dal i ka thënë ecni se s’po dojmë me ju shërby”, u shpreh ai.
Për rastin, dëshmitari tha se të rinjtë e kanë njoftuar policinë, por sipas tij, PK u ka thënë se s’kanë çfarë të bëjnë për këtë rast.
“Nuk ma merr mendja që kanë hap rast policia, ata djemt e kanë lajmëru, ju kanë thënë s’kemi çka me ju bë”, tha ai.
Nga policia e Gjakovës kanë deklaruar për Express se rasti nuk është raportuar.
Nga lokali thanë për Express se pretendimet për rastin në fjalë janë gënjeshtra.
“Është gënjeshtër e një individi, se në realitet personat nga lokalet e tjera e gjejnë ngrohtësinë në lokalin tim dhe kur të vijnë na thojnë na përzuni filan lokali a po na lejon me hy brenda, më së shumti prej tyre klientë kam unë, ajo për një foto nuk dmth me u bë kaq e madhe”, thanë nga lokali për Express.
Të pyetur për pretendimet e dëshmitarit se vaksinat u janë kërkuar vetëm të rinjve nga komuniteti egjiptian, nga lokali thanë: “Pa vaksina e kemi detyrim prej shtetit. Nuk ka mundësi me ndodh kjo, të gjithëve ju kërkohet vaksina. Së pari konferencat bëhen në hotelin tonë kundër racizmit, mbajnë trajnime në hotelin tim”.
Dëshmitari ka kërkuar nga lokali edhe publikimin e pamjeve të kamerave, për të “vërtetuar” fjalët e tij, por nga lokali kërkuan që të kontaktohet personi përgjegjës i kamerave. Deri në publikimin e këtij teksti, Express nuk ka marrë përgjigje nga personi që ka pamjet e kamerave.
Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka bërë thirrje që të bojkotohen lokalet ku nuk u shërbehet komuniteteve, teksa ka treguar një rast të tillë që ka ndodhur së fundi në qytetin e Gjakovës.
Ai ka thënë se qyteti i Gjakovës është shembull i për bashkëjetesë dhe rastet e tilla nuk duhet të ndodhin.
“Është turp që ende në lokalet e gastronomisë në qytete të ndryshme të Kosovës, në forma të ndryshme refuzojnë t’i shërbejnë pjesëtarët e komuniteteve dhe bëjnë diferencime! Për një rast të tillë edhe dje me informuan aktivistë nga Gjakova. Gjakova është ndër qytetet shembull për bashkëjetesë dhe rastet e tilla nuk duhet të lejohen të ndodhin!”, ka thënë ai.
Krasniqi ka shtuar se njerëzit me ngarkesa raciste nuk duhet të mbështeten.
“Mbetet angazhim i institucioneve dhe shoqërisë që të garantoj dhe zhvilloj bashkëjetesën dhe mundësitë e barabarta për të gjithë qytetarët. Lokalet të cilat bëjnë diferencime të tilla duhet t’i bojkotojmë të gjithë! Personat me ngarkesa raciste nuk duhet t’i mbështesim në zhvillim të tyre!”, shtoi ai në një status në Facebook.
Pas reagimit të Krasniqit kanë reaguar shumë fytyra publike dhe qytetarë në rrjete sociale, duke e dënuar sjelljen e lokaleve që nuk u shërbejnë komuniteteve pakicë.
Reagim ka bërë edhe Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, duke u shprehur kundër çdo diskriminimi racor, gjinor, fetar e kulturor.
“Shoqata e Gastronomëve të Kosovës është kundër çdo diskriminimi racor, gjinor, fetar e kulturor. Dënojmë ashpër diskriminimin ndaj komunitetit rom, në një nga lokalet e Gjakovës. Rrjedhimisht, nuk përfaqësojmë dhe nuk i pranojmë që të jenë pjesë e Shoqatës subjekte të ngjajshme që shpërfaqin një akt të tillë!”, thuhet në reagimin e tyre.