Ndërkohë që shifra e të prekurve nga pandemia po rritet ora orës dhe ka tejkaluar 215 mijë personat, Shtetet e Bashkuara po përballojnë të dhëna të frikshme edhe nga ekonomia.
Sipas një raporti të Goldman Sachs, tremujori i dytë i SHBA do të shënojë një ulje të paprecedent në historinë amerikane për sa i përket prodhimit të brendshëm bruto me 34%. Ndërkohë, tremujori në fjalë do të shënojë edhe uljen më të madhe të treguesit Dow Jones nga viti 1987, me një -21.8%.
Ndërkohë edhe të dhënat e punësimit janë dramatike. Analistët presin që në fund të vitit papunësia të rritet me 15%, një rezultat konkret kur mendohet se në disa zona që përbëjnë zemrën prodhuese të Shteteve të Bashkuara, si Çikago, aktiviteti prodhues ka rënë me 40 pikë.
Ndërkohë, Standard and Poor’s ka parashikuar se ekonomia globale për efekt të virusit do të rritet vetëm me 0.4%, praktikisht duke shënuar një stanjacion global.