Një biznesmen, pronar i një pike karburanti dhe restoranti është vrarë mbrëmë me armë zjarri rreth orës 23:32. Viktima është Guxim Gjyriqi 47 vjeç. Ai është vrarë pranë pikës së karburantit të tij në lagjen “Partizani”.
Gjuriqit i është zënë pritë dhe pasi e thirrën në emër, atentatorët e qëlluan me breshëri automatiku nga një mjet pa targa duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Një makinë e djegur u gjet në fshatin Golaj të Hasit, e cila dyshohet se është përdorur nga autorët për tu larguar nga vendi i ngjarjes pas vrasjes së 47 vjeçarit.
Guximtar Gjuriqi, baba i tre fëmijëve, është kushëri i largët me Fatmir Haklajn, ish-shefin e komisariatit të policisë së Tropojës, që dha dorëheqjen nga posti më 9 janar 1998. Ende nuk dihet nëse vrasja e Guximtar Gjyriqit lidhet me ndonjë konflikt të castit apo hakmarrje, por burime konfidenciale thanë për Shqiptarja.com se familja Gjyriqi nuk ka pasur lidhje me atë se çfarë ndodhi me Haklajt, dhe janë të vetmit që nuk kanë lëvizur nga Tropoja, duke jetuar të qetë ndër vite.
Fatmir Haklaj dha dorëheqje nga strukturat e policisë së shtetit, menjëherë pasi iu vra vëllai Shkëlqim Haklaj. Ndërkohë që u vra më 4 nëntor të vitit 1999, në një pritë në fshatin Bujan, vetëm 50 metra larg shtëpisë së mikut të tij Jaho Salihi.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e vrasjes së Guxim Gjyriqit, që e konsideron të paqartë, identifikimin dhe kapjen e autorit. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, Kukës dhe dy grupe të FNSH, vazhdojnë kontrollet dhe krehjen e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorit.
Nga ana tjetër, menjëherë pas ngjarjes policia shoqëroi për të marrë në pyetje persona që mund të kenë djeni për rrethanat e ngjarjes, por deri më tani ende nuk ka një emër të autorëve që mund të ketë kryer vrasjen. Po ashtu, policia po verifikon edhe një mjet tip Citroen pa targa për të cilën mendohet të jetë përdorur nga autorët, e ndërsa makina e djegur dyshohet të jetë përdorur nga ndihmësit e tyre.
Kryetari i bashkisë së Tropojës Rexhë Byberi në një prononcim për Report Tv u shpreh se viktima njihej në komunitet si njeri i qetë dhe pa probleme. Ai theksoi se kjo është vrasja e parë brenda në qytet pas 18 viteve.