Epidemiologia shqiptare në Teksas: Kurba është thyer, angazhim i jashtëzakonshëm për vaksinën

Ne i njohëm në ditë nevoje, por na dhanë një lloj garancie edhe në distancë. Asetet shqiptare, veçanërisht në fushën e mjekësisë, që mësuam se ishin të panumërt, profesionalë, të arrirë si mjekja shqiptare Rudina Muzina, epidemiologe në një spital në Teksas, e cila mban postin e drejtoreshës së kërkimit në North Texas Heart Center.

Në një lidhje me “Skype” në A2, mjekja shqiptare foli mbi situatën e pandemisë, veçanërisht në Teksas ku ajo jeton dhe në Shqipëri.

Ajo u shpreh se në Teksas tashmë është thyer kurba dhe kanë nisur të lehtësohen masat për t’u rikthyer në normalitet. “Në Teksas, ne e kemi kaluar javën e kaluar pikun e famshëm. Kurba është në sheshim. Guvernatori i Teksasit ka shpalosur një plan, i cili do të tregojë se si do të rikthehemi në një normalitet të ri. Ne menduam se do ta kishim majën e kurbës në fillim të majit, por në Teksas masat u morën herët”.

Mjekja shqiptare shprehet se guvernatorët e shteteve e kanë tashmë në dorë për kalimin nga një fazë në tjetrën për t’u rikthyer në normalitet.

Sa i përket vaksinës dhe trajtimit të të sëmurëve, epidemiologia u shpreh se javën e ardhshme priten rezultate të rëndësishme. “Janë disa drejtime nga ku ne presim për rezultate. Një studim shumë i madh është duke u bërë në Nju Jork dhe pritet të dalin rezultatet javën e ardhshme. Do të ketë më shumë se 1200 pacientë që do të marrin trajtimet e reja. Amerikanët nuk e harrojnë kurrë sa vdekje ka sjellë te ne kjo pandemi. Për herë të parë është bërë një partnerit kaq i madh privat-shtetëror dhe aktualisht është duke u punuar për rreth 70 vaksina”.

Në fund, Rudina Muzina foli edhe për menaxhimin e situatës në Shqipëri, duke u shprehur se Task Forca shqiptare është një hap më mbrapa. “Rastet duhet të kapen shumë herët. Tani po flitet shumë për një ulje të kurbës, por duhet të kemi shumë kujdes. Duhet të bëhet sa më parë testimi sereologjik në Tiranë, për të pasur një panoramë të qartë”, tha epidemiologia shqiptare që punon dhe jeton në Teksas.