Erdogan i lidhur nyje me Putin, dëshiron bombarduesin rus Su-35

Presidenti turk Rexhep Tayyip Erdogan kërcënoi se do të thellojë lidhjet ushtarake me Moskën, nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk heqin embargon për shitjen Ankarasë të një avioni të rëndësishëm luftarak, F-35, që SHBA e pezulloi pas kryeneçësisë së Erdogan për të blerë sistemet raketore ruse, S-400.

Paralajmërimi vjen përpara takimit të planifikuar për javën e ardhshme midis Presidentit Erodgan dhe Presidentit Donald Trump.

Turqia është e vendosur të blejë avionin Su-35, bombarduesin më të ri të Rusisë. Ajo tashmë ka provokuar alarm midis aleatëve të saj perëndimorë me blerjen e sistemit rus të raketave S-400.

“Kur blemë sistemin S-400, nuk i kërkuam leje askujt. Kështu që, nëse marrim një vendim, do t’i blejmë edhe avionët Su-35”, tha Presidenti Erdogan të martën.

Ai la të kuptohet se një vendim përfundimtar për blerjen e avionëve rusë mund të jetë në duart e Washington. Erdogan bëri thirrje që Presidenti Trump të zhbllokojë shitjen Turqisë të aeroplanit luftarak amerikan F-35.

Embargoja e SHBA erdhi si kundërpërgjigje ndaj blerjes nga Ankaraja të sistemit rus S-400, për të cilin Washington thotë se kompromenton sistemet e armëve të NATO-s, veçanërisht teknologjinë e avionit F-35 të padiktueshëm nga radarët.

“Nëse çështja F-35 nuk zgjidhet, ne do të ndërmarrim hapat e nevojshëm,” tha Erdogan.

Dy udhëheqësit e padiskutueshëm në vendet e tyre, Presidenti rus Vladimir Putin e priti Presidentin Erdoganin gjatë një panairi ajror në Moskë në muajin gusht, ku ishte ekspozuar edhe avioni Su-35.