Erdogani i kërcënon mediet turke me ndëshkime për përmbajtjet “e dëmshme”

Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, të shtunën i kërcënoi me ndëshkime mediet turke, nëse ato shpërndajnë përmbajtje që i dëmtojnë vlerat themelore të vendit. Ky veprim mund të jetë prelud për censurë të mëtejme në këtë fushë.

Në një njoftim të publikuar në gazetën zyrtare, ai tha se masat janë të nevojshme për ta mbrojtur “kulturën kombëtare” të Turqisë dhe për ta mbrojtur zhvillimin e fëmijëve të këtij vendi “nga ndikimi negativ si rezultat i ekspozimit ndaj përmbajtjeve të dëmshme në të gjitha mediet e shkruara, gojore dhe pamore”.

Presidenti turk nuk saktësoi se cilat përmbajtje janë të dëmshme, por tha se masa ligjore do të merren kundër “veprimeve të hapura dhe të fshehura përmes medieve me qëllim të minimit të vlerave tona kombëtare e morale dhe pengimit të strukturës sonë familjare e shoqërore”, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Express.

Erdogani ka qenë në pushtet për gati 20 vite dhe shpesh i ka kritikuar përmbajtjet e medieve që kanë qenë jashtë vijës së vlerave konservatore islamike, të përkrahura nga partia e tij.

Turqia viteve të fundit gjithashtu ka marrë masa për ta shtuar mbikëqyrjen e medieve. Rreth 90 për qind e medieve kryesore tash janë në pronësi të shtetit ose janë të afërta me qeverinë.