Nuk ka paqe për Davidin e Mikelanxhelos, sërish në syrin e stuhisë për shkak të lakuriqësisë së tij. Pas rastit të profesoreshës amerikane, e cila u detyrua të linte punën e saj, për shkak se u kishte treguar studentëve një foto të veprës së famshme, polemika zhvendoset në Skoci, ku një reklamë që përshkruante Davidin u censurua si e papërshtatshme.
Billbordi ishte për të promovuar restorantin italian Barolo, që i përket grupit Drg, i cili ndodhet në qendër të Glasgow. Imazhi i Davidit të Michelangelo nuk plotësonte parametrat strikte të vendosura nga agjencia Globale, përgjegjëse për hapësirat reklamuese. Grupi Drg tha se fillimisht ishte “i hutuar” nga ndalimi në reklamën që tregonte skulpturën e Rilindjes me një fetë pica dhe fjalët “nuk ka asgjë më italiane” dhe më pas u përpoq për të gjetur një zgjidhje.
“Na u kërkua për një version të dytë, sepse ngjitësit e flamurit italian të vendosura në pjesën e përparme së statujës nuk ishin mjaft të mëdha,” komentoi Nadine Carmichael, drejtuese e marketingut për grupin.
Përfundimisht, me shumë përpjekje, u arrit një marrëveshje duke treguar skulpturën e prerë në bel. “Duket se kemi bërë pak bujë” është komenti i restorantit në Facebook.