EULEX ka njoftuar se ofron shpërblim prej 82,000 euro për informata që shpijnë në arrestimin dhe dënimin e kryerësit apo kryerësve të vrasjes e pjesëtarit, Audrius Senavicius tetë vite më parë në veri të Kosovës.
Kolegët e tij sot kanë bërë homazhe në vendin ku është kryer vrasja e Senaviciusit.
“Ishte e enjte 19 shtator 2013 kur kolegu ynë Audrius Šenavičius u qëllua për vdekje derisa ishte duke vozitur për në punë. Sot ne nderojmë kujtimin për të dhe shprehim keqardhje të thellë për familjen dhe të dashurit e tij.
Paraqituni, nëse keni ndonjë informatë që mund t’i ndihmojë policisë. Ne ofrojmë një shpërblim prej 82.000 euro për informata që shpijnë në arrestimin dhe dënimin e kryerësit apo kryerësve të kësaj vrasje. Për informata rreth raportimit të çfarëdo informate lidhur me vrasjen e Audriusit, ju lutemi të kontaktoni +383 38 284 181 ose vizitoni faqen tonë të internetit”, thuhet në njoftim.
Pjesëtari i Policisë së EULEX-it ishte vrarë më 19 shtator 2013 derisa po shkonte në vendin e punës në veri të Kosovës.