Fadil Geci, anëtar i familjes Geci nga Lluasha, ka folur në Debat Plus rreth nisjes së gjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale në Hagë. Z. Geci, që është vëllai i Gani Gecit, ish-ushtar i UÇK-së, ka folur më saktësisht rreth komunikatës 59-të, e cila komunikatë u përmend si provë edhe në Gjykatën Speciale nga ana e Prokurorisë së Specializuar në Hagë.
Z. Geci ka theksuar se e ka pritur që një kohë të gjatë që të shohin një gjë të tillë, pra të dihet se kush e ka shkruar komunikatën 59.
“Po të them të drejtën unë dhe familja ime e kemi pritur gjatë këtë ditë, edhe me pa një të vërtetë. Unë e kam ditë që shumica janë kanë të bindur që kjo komunikatë është një komunikatë fallce, e rrejshme për interesa personale të dikujna, por nuk e kemi ditë cili është ai person” – deklaroi fillimisht ai.
Tutje, ai komentoi edhe deklaratën e Rexhep Selimit, ish-komandant i UÇK-së, i cili deklaroi se ishte Hashim Thaçi, ai që e shkroi këtë komunikatë.
“Sonte unë duhet me falënderu Rexhep Selimin, që përkundër divergjencave politike që i kemi, edhe me Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, e ka thënë një të vërtetë, që është për t’u përshëndetur” – deklaroi ai.
Tutje, ai ka treguar se si shkoi tek shtëpia e Hashim Thaçit dhe tregoi bisedën me babain e Thaçit.