Një takim i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të hënën u shoqërua me emocione të forta teksa ambasadori ukrainas në OKB, Sergiy Kyslytsya, lexoi me zë të lartë një letër nga një fëmijë ukrainas, shkruar për nënën e tij të vdekur.
Kyslytsya tha në Këshill se letra u bë publike në Ukrainë “disa ditë më parë” dhe se ishte shkruar nga një djalë nëntë vjeçar pasi nëna e tij u vra nga ushtarët rusë.
“Mama, kjo letër është dhurata ime për ty në Ditën e Gruas më 8 Mars. Faleminderit për nëntë vitet më të mira të jetës sime. Shumë faleminderit për fëmijërinë time. Ti je mamaja më e mirë në botë. Unë kurrë s’do të të harroj ty. Të uroj fat në qiell dhe shpresoj të jesh në parajsë. Do të përpiqem të sillem mirë për të të arritur ty në parajsë”.
Kyslytsya tha se nëna e djalit u vra nga ushtarët rusë kur ata u përpoqën të arratiseshin me makinë nga qyteti i tyre i pushtuar nga Rusia.
Djali qëndroi në automjet derisa banorët vendas ishin në gjendje ta shpëtonin dhe ta çonin në një strehë, tha ambasadori ukrainas.
Ambasadori i Ukrainës në Kombet e Bashkuara u tha anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se Rusia kishte rrëmbyer 121,000 fëmijë ukrainas nga vendi i tij që nga fillimi i pushtimit të saj të përgjakshëm.
Sipas tij, shumica e fëmijëve të rrëmbyer nga rusët, ishin jetimë dhe jo ata me prindër dhe të afërm të tjerë.
Ai tha se rrëmbimet ishin në shkelje flagrante të ligjit dhe konventave ndërkombëtare.
Ambasadori i Ukrainës shtoi gjithashtu se Rusia po hartonte një projektligj që do të “thjeshtonte dhe përshpejtonte procedurat për birësimin e fëmijëve të rrëmbyer ukrainas…”
Kyslytsya nënvizoi se tërheqja e trupave ruse nga disa zona ka lënë një gjurmë “vuajtjesh të paimagjinueshme, me vrasje, tortura të papërshkrueshme dhe dhunë seksuale, duke përfshirë përdhunimin dhe gjymtimin”.
Nga ana tjetër Linda Thomas-Greenfield, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, sulmoi presidentin rus duke thënë:
“Kur burra si Presidenti Putin fillojnë luftërat, gratë dhe fëmijët zhvendosen. Gratë dhe fëmijët lëndohen. Gratë dhe fëmijët përdhunohen dhe abuzohen. Gratë dhe fëmijët vdesin”.