Hysamedin Feraj nga Lëvizja Vetëvendosje përmes një shkrimi në Facebook ka kërkuar nga zëvendëskryeministri Avdullah Hoti, që ta shpjegojë pse nevojitet ndihma e ambasadorit amerikan, Richard Grenell, që Kosova të rikthehet brenda Serbisë.
Sipas Ferajt, Hoti me deklarimet e tij po krijon konfuzion logjik.
Ndaj këtyre deklarimeve të zyrtarit të VV-së ka reaguar zyrtarja e LDK-së Melihate Tërmkolli.
Ajo shprehet se, “Ky historiani e paska shpallë SHBA-në armike të shqiptarëve dhe të Kosovës, të lirisë e pavarësisë së saj. Sipas tij, ambasadori amerikan, z. Grenell qenka mik i Serbisë dhe përfaqësues i interesave të saj, për më tepër qenka për kthimin e Serbisë në Kosovë e rrjedhimisht në këtë linjë qenka edhe zv. Kryeministri Hoti”.
Ja shkrimi i plotë:
Albin, “ujstati” pak “fillozofat” !
Hysamedin Feraj, “fillozof” e “historian” , atdhetar i devotshëm aq sa edhe Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, heroin kombëtar të shqiptarëve e bëri “tradhtar”, “ msakrues të shqiptarëve”, sot edhe njëherë paska shpërfaqur tërë përmasat e ideologjisë komuniste të mishëruar në kryeministrin e tij, Edi Rama dhe përderisa flet në këtë mënyrë si përfaqësues i një partie që “kontrollohet” rreptësisht nga Albin Kurti, edhe në të.
Ky historiani e paska shpallë SHBA-në armike të shqiptarëve dhe të Kosovës, të lirisë e pavarësisë së saj. Sipas tij, ambasadori amerikan, z. Grenell qenka mik i Serbisë dhe përfaqësues i interesave të saj, për më tepër qenka për kthimin e Serbisë në Kosovë e rrjedhimisht në këtë linjë qenka edhe zv. Kryeministri Hoti.
Sa të mjerë e frikacakë! Gjithnjë duan të fshehen pas dikujt. Dhe në këtë mes, gjithmonë ka një fajtor kujdestar, për gjithçka që ndodhë në këtë vend: Ibrahim Rugova dhe LDK-ja.
Nuk janë madje as të vetëdijshëm se në këtë rast si edhe shumë herë tjera, fajësimi është bekimi më i madh që i bëhet LDK-së si garantuese e interesave të vendit dhe marrëdhënieve të fuqishme me SHBA- në dhe të gjitha vendet perëndimore si faktor vendimtar i çlirimit, lirisë e pavarësisë së Kosovës, e tani edhe i zhvillimit dhe ruajtjes së sovranitetit të saj. Shqiptarët e duan perëndimin, e duan Amerikën. Janë në gishta të dorës ata që ende e mbajnë kokën nga Serbia e Rusia. Qëllon të jetë edhe ndonjë “historian” a “fillozof”.
Përndryshe, kjo tashmë nuk është lojë. Këto deklarata e shkrime, derisa VV është në pushtet dhe ka kryeministrin, duan përgjigje. Albin Kurti, si kryeministër, urgjentisht duhet të shpjegohet rreth tyre dhe pak më shumë!.
#MT