Për t’i shërbyer atdheut në kohën e luftës, vendosi ta veshte uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të bëhej pjesë e Spitalit Ushtarak në Zonën Operative të Llapit. Është kjo kapitene Fitnete Seta, e cila përveç shërbimit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ka shërbyer edhe në Trupat Mbrojtëse të Kosovës dhe shërben sot në Ushtrinë e Kosovës.
Seta, aktualisht, është pjesë e regjimentit të mjekësisë në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Ajo thotë se për të është nder dhe privilegj që i ka shërbyer vendit dhe këtë vazhdon ta bëjë.
“Në periudhat e mëhershme kam shërbyer në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, mbas asaj në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, ku edhe sot jam pjesë e uniformës apo Ushtrisë së Kosovës… Ndjenja është e veçantë si atëherë, po edhe tani të shërbesh në uniformë, të shërbesh për shtetin dhe për vendin tënd. Në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës kam shërbyer në Zonën Operative të Llapit, kam qenë pjesë e spitalit ushtarak të kësaj zone”, thotë ajo.
Ajo tregon se në periudhën e luftës ka qenë e angazhuar në Spitalin Ushtarak në Zonën Operative të Llapit, ku me shumë bashkëluftëtarë të saj kishte mjekuar plagët e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Shërbimi për atdheun për të është nder i veçantë, e veç kësaj edhe krenari.
“Përvoja ime është shumëvjeçare, ta them të drejtën, tani po i bëj tri dekada në uniformë, duke filluar prej uniformës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Trupat Mbrojtës të Kosovës dhe tani në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Është nder i veçantë dhe ndjenjë e veçantë të shërbesh për vendin dhe për kombin tonë, për popullin tonë”, thotë Seta.
Kapitene Fitnete Seta, për KosovaPress-in, thotë se për të më i veçantë mbetet shërbimi në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, pasi që në atë periudhë ka qenë një situatë më e rëndë për vendin.
Edhe tash në liri që shërben në Ushtrinë e Kosovës, thotë se është nder për të.
“Ndjenja është më e veçantë në periudhat e mëhershme në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, se atëherë ka qenë një situatë tjetër, por gjithashtu është nder edhe sot që të shërbesh dhe të punosh për vendin dhe për kombin e popullin tonë”, thotë Seta.
Ajo ka një mesazh për të gjithë të rinjtë e vendit që të bëhen pjesë e Ushtrisë së Kosovës, pasi, sipas saj, shërbimi për vendin është privilegj.
“Të inkuadroheni në Forcën e Sigurisë së Kosovës, të shërbeni për vendin se është privilegj dhe nder”, thotë ajo.
Për kontributin e dhënë gjatë luftës në Kosovë, kapitenia Fitnete Seta është dekoruar nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi me medaljen “Urdhri i Pavarësisë”, si vlerësim për kontributin e saj për Pavarësinë e Kosovës.
Kjo medalje për të është motivuese, pasi që tregon se shteti ia njeh kontributin e dhënë.
“Është motivuese, është emocionuese njëkohësisht, është një nder, një emocion i veçantë që dekorohemi për atë periudhë”, shprehet ajo.
Kapitenia Fitnete Seta thotë se nuk do të ndalet së punuari në të mirë të shtetit, ndërsa inkurajon të gjithë të rinjtë e vendit që të bëhen pjesë e Ushtrisë së Kosovës.