Elon Musk është njeriu më i pasur në histori. Kështu të paktën pretendon revista “Forbes”, e cila ka bërë edhe vlerësimin më të fundit të pasurisë së sipërmarrësit afrikano-jugor.
CEO i Tesla dhe SpaceX vlen 300 miliardë dollarë, sipas “Forbes”, më shumë se 100 miliardë sesa themeluesi i Amazon, Jeff Bezos. Por, superlativat nuk ndalen me kaq. Musk vlerësohet se ka një pasuri dyfish më të madhe se investitori legjendar Warren Buffet, i cili nisi karrierën në vitin 1941, kur ishte vetëm 11 vjeç. Sot, pasuria e 91-vjeçarit arrin “vetëm” në kuotën e 125 miliardë eurove.
Për krahasim, pasuria e Musk është vetëm 35 miliardë dollarë më e vogël sesa e gjithë ekonomia e vendlindjes së tij, Afrikës së Jugut, që llogaritet të jetë 335 miliardë dollarë. Ndërsa është më e madhe se Produkti i Brendshëm Bruto (GDP) i Kolumbisë, Finlandës, Pakistanit, Kilit apo Portugalisë.
Megjithatë, kur vjen puna te titulli “njeriu më i pasur i historisë”, pretendimi i “Forbes” vihet në diskutim. Disa historianë, ekspertë të kësaj çështjeje pretendojnë se industrialistët amerikanë të shekullit XIX dhe XX, si John D. Rockefeller dhe Andrew Carnegie, por edhe sunduesi i Malit të shekullit XIII, Mansa Musa, si dhe Perandori romak Augustus Caesar – i cili sundoi nga viti 27 para erës sonë deri në vitin 17 pas erës sonë – mund të kenë qenë më të pasur, nëse shifrat e tyre përshtaten me inflacionin e sotëm.