Një aksident tragjik ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të shtune në dalje të Fushë-Krujës, në lagjen “Bakushe Visha”.
Mësohet një 17-vjeçar i identifikuar si Isuf Mehmeti është përplasur për vdekje nga një automjet tip “Hyundai”, teksa kalonte rrugën nga një krah në tjetrin, fare pranë vizave të bardha.
Report Tv mëson se shoferi i automjetit i identifkuar si Andi Kullaj është arrestuar nga policia, e cila ndodhet në vendngjarje.
“Rreth orës 21:30, në Fushë Krujë, automjeti me drejtues shtetasin A. K., ka aksidentuar me pasojë vdekjen një të mitur 17 vjeç.
Shtetasi A. K. është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme, ndërsa grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit”,-njofton policia.
Paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia e madhe më të cilën po lëvizte automjeti, duke kaluar normën e përcaktuar për qarkullimin në këtë zonë, ku dhe ndodhet një shkollë 9-vjeçare.
Për këtë arsye makina ka marrë zvarrë të miturin për rreth 50 metra, duke bërë që viktimës t’i bien nga xhepat sendet personale por edhe një këpucë nga këmba.