Arben Gashi, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, në Rubikon të KTV-së ka thënë se ka kohë që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po sillet me inat ndaj Kosovës.
Ai ka shtuar gjithashtu se Kosovës nuk i intereson Minishengeni.
“Kryeministri i Shqipërisë ka kohë që me Kosovën sillet me inat. Ndoshta sepse në kohën e kryeministrit Mustafa, ky i ka thënë në mënyrë eksplicite i kishte thënë se ne nuk jemi për Jugosllavinë e re, por se ne jemi për një integrim në BE. Idetë e mbrapshta mbesin të tilla pa marrë parasysh rrethanave dhe kohës që bëhen. E shohim painteres ekonomik, strategjik për Kosovën. Pra, ka programe që i ngritin kapacitetet ekonomike evropiane. Por, minishengeni nuk i intereson Kosovës”, ka thënë Gashi.
Gashi thotë se Rama nuk heziton ta quajë mik të tijin presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, derisa me kryeministrat e Kosovës në vazhdimësi ka pasur përplasje.
“Ndoshta mund të jetë inat edhe më i thellë pasi Rama nuk heziton ta quajë ‘miku im Vuçiq’. Në vazhdimësi ka pas deklarime të një miqësie personale ndërmjet tyre. Dhe në vazhdimësi ka pasur përplasje ndërmjet kryeministrave të Kosovës me atë të Shqipërisë. Sjellja paternaliste, mënyra e komunikimit, nuk mund t’i japë arsye se si vepron Rama, unë po citoj deklaratat e Ramës, unë nuk po e them këtë. Këto janë raporte bilaterale, aq sa jep edhe merr”, ka thënë Gashi.
Tutje Gashi ka folur edhe për ambasadorët të cilëve u ka kaluar afati.
“Konjufca, i ka propozuar presidentit që të kthehen ambasadorët që janë duke shërbyer jashtëligjshëm. Nuk ka nga LDK-ja. Në momentin kur diplomatët janë politikë, duhet të tërhiqen pasi nuk e kanë mbështetjen e qeverisë pasuese”, ka thënë Gashi.
Sipas tij ishte i drejtë vendimi i Konjufcës për kërkesën për kthimin e shtatë ambasadorëve, përfshirë edhe Vlora Çitakun, pasi sipas tij ata janë diplomatë politikë, e jo të karrierës.
“Znj. Çitaku kur është emëruar ambasadore do të duhej të kthehej në vend pas përfundimit të mandatit katër vjeçar, asaj i janë vazhduar edhe dy mandate, pra ka më shumë se tre vjet është duke tejkaluar provizionet ligjore, dhe që të shtatit kanë tejkaluar këto afate. Pritet që të kthehet edhe Teuta Sahatçiu e LDK-së pasi i kalon afati, pasi ne e dimë se ajo është ambasadore politike. Me sa e di unë Nazane Breca ka qenë dhe është kthyer, dhe nuk e di kush është tjetër ambasador politik”, ka thënë Gashi.
Kurse për Ramadan Gashin, Sami Ukellin, Shkëndije Sherifin dhe Fitim Gllarevën ai ka thënë se janë ambasadorë të karrierës, me këtë të fundit madje thotë se nuk është i LDK-së fare.
Duke folur për Lidhjen Demokratike të Kosovës, Gashi ka thënë se nuk ka qenë asnjëherë kundërshtar i Isa Mustafës, por se ka pasur kohë që kanë menduar ndryshe.
Ai ka thënë se nuk e ka votuar qeverinë e përbashkët me PDK-në, por sipas tij, kjo nuk ka pasur të bëjë me Isa Mustafën si lider.
Gashi ka thënë se nëse Mustafa dëshiron të jetë kandidat për president, atëherë ai është kandidati më i mirë që ka LDK-ja.