Grupet punuese të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës në takimin e katërt me radhë janë pajtuar në masë të madhe për çështje të sigurisë dhe sundimit të ligjit.
Pas më shumë se një orë diskutimi në selinë e VV-së, u tha se përveç dyshimeve për mundësitë e krijimit të një Zyre Hetimore Shtetërore, për vettingun, dekriminalizimin, dhe disa çështje tjera, ka qëndrim final të pajtimit në mes të dy partive.
Përfaqësuesi i grupit punues të LDK-së, Arben Gashi para gazetarëve elaboroi disa nga temat e diskutuara, teksa theksoi se Gjykata Speciale duhet të vazhdojë punën.
“Temat që u diskutuan kanë të bëjnë me sigurinë e jashtme që ka të bëjë me Ushtrinë e Kosovës, ngritja e kapaciteteve dhe përgatitja në afatin optimal për t’u anëtarësuar në NATO. Sigurinë e brendshme që ka të bëjë me sigurinë në trafik, publike, të pronës, të jetës dhe shëndetit të qytetarëve, sigurinë dhe emergjencat civile. Folëm për sundimin e ligjit që ka të bëjë me gjykatat dhe prokuroritë. Folëm për vettingun, dekriminalizimin dhe po ashtu çështjen e krijimit të një zyre të veçantë që do të quhet Zyra Shtetërore e Hetimit. Për këtë zyrë nuk kemi një qëndrim final, kemi dakordim për çështje paraprake që folëm. Në të njëjtën kohë, diskutuam me propozim të Lëvizjes Vetëvendosje, Ligjin për krime të luftës dhe për të gjitha çështjet jemi dakord”, tha Gashi.
Gashi sqaroi se çka do të përmbajë Zyra Shtetërore Hetimore, por edhe tha se kjo ka ende nevojë e për sqarime për të parë nëse e cenon sistemin kushtetues.
“Zyra Shtetërore e Hetimit do të ketë disa komponente, sipas këndvështrimit tonë. Komponenti i parë do të jetë lufta kundër krimit të organizuar, komponenti i dytë do të jetë hetimi i krimeve të vjetruara dhe krimeve politike. Komponenti tjetër do të jetë lufta kundër korrupsionit. Dhe komponenti e fundit që ka të bëjë me këtë zyrë do të jetë komponenti e sundimit të ligjit në aspektin e antikorrupsionit dhe zyrtarëve të dyshuar. Sa i përket këtyre fushave që janë siguria e jashtme e Kosovës, sundimi i ligjit, rendi publik kemi dakordësi me partnerët e mundshëm qeverisës, pra Lëvizjen Vetëvendosje”, tha ai.
Për qëndrimin e LDK-së karshi Gjykatës Speciale, Gashi tha se Dhomat e Posaçme të kësaj gjykatë duhet ta vazhdojnë punën e tyre.
“Për ne këto Dhoma duhet të ekzistojnë dhe duhet të kryejnë punën e vet. Besoj që kjo do të vlen edhe për Lëvizjen Vetëvendosje, sepse tashmë është një proces vendor dhe ndërkombëtar, dhe kthim prapa nuk ka”, pohoi Gashi.
I pyetur për rolin e nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri, në këtë grup punues, Gashi tha se ai po jep kontributin e tij, ndërkaq për takimin e djeshëm të liderit të VV-së, Albin Kurti dhe nënkryetares së LDK-së Vjosa Osmanit, tha se ka qenë takim pune.
Ndryshe, takimi i radhës i grupeve punuese të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës do të mbahet të hënën.