Gazeta opozitare serbe “Danas” ka publikuar një pjesë të asaj që pretendon të jetë “propozimi franko-gjerman” i marrëveshjes bazë të Kosovës me Serbinë. Çka thuhet në këtë propozim?
Danas thotë se e ka siguruar dokumentin përmes kanaleve të saj diplomatike, dhe aty shkruhet pak a shumë ajo që ishte prezantuar edhe më herët në medie të ndryshme.
“Bashkësia e komunave me shumicë serbe nuk përmendet specifikisht në këtë dokument, që tashmë ka qarkulluar në rrjete sociale, por formimi i saj mund të konkludohet në mënyrë indirekte përmes të tjera pjesëve.” – shkruan Danas.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pas takimit me pesë emisarët perëndimorë (BE, ShBA, Gjermani, Francë dhe Itali) kishte thënë që bisedimet kishin qenë “shumë të vështira, ndoshta më të vështirat që kemi pasur”.
“Ajo çka jemi pajtuar është se konflikti i ngritë nuk është zgjidhja.” – kishte thënë ai.
Teksti i propozimit evropian (franko-gjerman) të “marrëveshjes bazike mes Kosovës dhe Serbisë”, sipas Danasit përmban datën 20 janar 2023.
Në anën tjetër, deri më tash kryeministri Kurti dhe vartësit e tij kanë qenë përgjithësisht të pafjalë për vizitën e këtyre pesë emisarëve në Kosovë, po gjatë javës së kaluar.
TEKSTI:
Palët janë të ndërgjegjshme për përgjegjësinë e ruajtjes së paqes;
Të përkushtuar që të kontribuojnë në bashkëpunim të frytshëm rajonal dhe për siguri në Evropë;
Kuptojnë se paprekshmëria e kufijve dhe respekti për integritetin territorial dhe sovranitetin, e po ashtu edhe mbrojtja e minoriteteve kombëtare, janë kushte bazike për paqe;
Sillen në bazën e fakteve historike dhe pa paragjykuar pikëpamjet e ndryshme të palëve në çështje bazike, përfshirë çështjen e statusit;
Kanë dëshirën të krijojnë kushtet për bashkëpunimin e palëve për të mirën e njerëzve.
Ajo për të cilën pajtohen është si më poshtë:
Neni 1
Kosova dhe Serbia duhet të zhvillojnë marrëdhënie normale e të mira fqinjësore me njëra tjetrën bazuar në të drejta të barabarta.
Neni 2
Të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimi dhe parimet e vendosura në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht atyre mbi të drejtat e shteteve sovrane, respektimin e pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial, të drejtës për vetëvendosje dhe mbrojtje të të drejtave njerëzore
Neni 3
Në pajtim me Kartën e Kombeve të Bashkuara, palët do të zgjidhin çdo mosmarrëveshje mes tyre përmes mjeteve paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimet apo përdorimi i forcës.
Neni 4
Palët nisen nga supozimi që asnjëra prej tyre nuk mund ta përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare apo të sillet në emër të palës tjetër.
Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.
Neni 5
Të dyja palët do të mbështesin aspiratat për t’u bërë anëtare të Bashkimit Evropian.
Neni 6
Ndërsa marrëveshja bazike përfaqëson hap të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve, të dyja palët do të vazhdojnë procesin e dialogut me momentum të përtërirë, që çon në një marrëveshje ligjërisht obliguese dhe gjithëpërfshirëse për të normalizuar marrëdhëniet.
Palët pajtohen që në të ardhmen do të zgjerojnë bashkëpunimin në fushat e ekonomisë, shkencës, teknologjisë, trafikut dhe komunikacionit, gjyqësi e siguri, kulturë, shëndetësi, sport, persona të zhdukur dhe të tjera, duke arritur marrëveshje specifike.
Neni 7
Të dyja palët avokojnë për arritjen e marrëveshjeve konkrete, në pajtim me instrumentet relevante të Këshillit të Evropës dhe përdorin përvojat ekzistuese evropiane, në mënyrë që të sigurojnë nivel më të përshtatshëm të vetë-qeverisjes për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë e ofrimit të shërbimeve në Kosovë. Disa fusha të veçanta, përfshirë mundësinë e asistencës financiare nga Serbia dhe kanalet direkte për komunikim mes komunitetit serb dhe Qeverisë së Kosovës.
Palët do të formalizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të sigurojnë nivel të lartë të mbrojtjes për trashëgiminë kulturore e religjioze serbe, në pajtim me modelet ekzistuese evropiane.
Neni 8
Palët do të këmbejnë misionet permanente diplomatike. Ato do të vendosen në qeveritë respektive.
Çështjet praktike të lidhura me misionet do të adresohen ndaras.
Neni 9
Përkushtimi i BE-së dhe të tjerë donatorëve për të krijuar paketë financiare për projektet e përbashkëta të palëve për zhvillim ekonomik, konektivitet, tranzicion të gjelbër dhe të tjera fusha kyçe është kuptuar nga të dyja palët.
Neni 10
Palët do të formojnë një komision të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, që do të monitorojë zbatimin e kësaj marrëveshjeje.
Të dyja palët konfirmojnë obligimet e tyre për të zbatuar marrëveshjet e mëparshme.