Një gazetar francez dhe një akademik amerikan thonë se u është kërkuar nga ambasadori i Kosovës në Francë dhe presidenti i Kosovës që të shkruajnë shkrime në favor të shkëmbimit territorial.
Një gazetar francez dhe një akademik amerikan i kanë thënë BIRN-it se u është kërkuar të shkruanin pozitivisht rreth korrigjimit të kufirit dhe shkëmbimit potencial të territorit në mes te Kosovës e Serbisë, njofton Insajderi.
Jean-Baptiste Chastand, korrespodenti i gazetës Le Monde për Evropën Qendrore, ka deklaruar se një kompani e marketingut dhe lobimit me emrin “Majorelle PR & Events” e kanë kontaktuar atë për të aranzhuar një takim me Qendrim Gashin, ambasadorin e Kosovës në Francë, me 19 shtator, 2018.
BIRN kishte zbuluar më parë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kontaktuar me firmën franceze të marketingut për ta promovuar “modifikimin territorial”, si pjesë e zgjidhjes së problemeve në mes të Serbisë dhe Kosovës.
“Gashi erdhi në Le Mond me një grua nga firma ‘Majorelle’ që të flas për shkëmbimet territoriale”, ka thënë Chastand për BIRN.
“Ai (Gashi) thjesht po thoshte se shkëmbimi territorial është ide e mirë për të sjellur paqe, por nuk ishte shumë specifik dhe as shumë i qartë se për çfarë territori saktësisht bëhet fjalë”.
I pyetur për këtë çështje, Gashi kishte refuzuar se ka kërkuar diçka të tillë.
Në ndërkohë, David Phillips, drejtori në programin “Ndërtimi i paqes dhe të drejtat” në Institutin e Universitetit të Kolumbisë, i ka thënë BIRN-it se Thaçi i ka kërkuar atij të bëjë shkrime që e mbështesin shkëmbimin e territoreve në mes të Kosovës e Serbisë.
“Ai (Thaçi) më kërkoj të përgatisja një shkrim ku e mbështes shkëmbimin territorial”, tha Phillips, duke shtuar që “nuk e besoj që ndarja është në interes të Kosovës, prandaj refuzova, sepse nuk do të shkruaja asgjë që nuk është në interes të Kosovës”.