Gazetarja nga Brukseli: Kurti e dominoi takimin, Vuçiq u vu në siklet nga katër propozimet e tij

Gazetarja shqiptare në Bruksel, Erisa Zyka, ka komentuar takimin e parë mes kryeministrit, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në kuadër të procesit të dialogut.

Zyka thotë se kryeministri Kurti ka dominuar në këtë takim dhe se Vuçiq u vu në siklet, njofton Klankosova.tv.

“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dominuar qartësisht skenën e dialogut Prishtinë-Beograd edhe në formë edhe në thelb. Në formë pasi ai e vendosi një komunikim krejtësisht normal për një dialog të cilin ai paraprakisht nuk e kishte as në prioritet e në thelb pasi erdhi me katër propozime konkrete- gjë që nuk pritej as nga asnjëra palë dhe kjo e vendosi në një vështirësi shumë të madhe vetë presidentin e Serbisë”.

“Kjo vështirësi reflektoi edhe në shprehjen e fytyrës që ai pati pas takimit. Duhet thënë se ka një qëndrim të Bashkimit Evropian që është e rëndësishme që takimi u mbajt dhe kjo konsiderohet si sukses pasi para pak kohësh ishim në stadin ku nuk ishte prioritet dhe mbase ky takim nuk do të mbahej fare – prandaj konsiderohet si pozitive fakti që të dyja palët erdhën në Bruksel, shkëmbyen diskutime që ata i flasin njëri-tjetrit dhe ulën në një tryezë për të dialoguar por se pritshmëria këtë radhë nuk ishte nga asnjëra palë që do të kishte rezultate konkrete”.

“Është e rëndësishme që palët erdhën në dialog edhe diskutuan e u takuan. Askush nuk besoi që do të ketë kaq shumë rezultate sa që edhe u caktua takimi para 25 korrikut”, tha Zyka.