Gjeneralmajor, Jeremy Rowan, oficer i lartë në pension i Ushtrisë Britanike, e ka quajtur të jashtëzakonshëm zhvillimin e Kosovës 25 vjet pas çlirimit.
Rowan kishte hyrë në Kosovë një çerek shekulli më parë, me ushtrinë britanike në kuadër të forcave të NATO-s, pas 78 ditë të bombardimeve.
Ai thotë se Prishtina është bërë një qytet kozmopolit e metropolitan.
“Gjithçka është ndryshe, është bërë një qytet kozmopolit e metropolitan shumë i zënë, zhvillimi i tij është i jashtëzakonshëm. E vetmja gjë që nuk ndryshon është mirëpritja e ngrohtë nga njerëzit këtu. Gjëja që e bën këtë hapësirë të veçantë janë njerëzit”, tha Rowan.
Ai theksoi se gjëja që e bën të veçantë, Kosovën, është mikpritja e ngrohtë e popullit.
“Mbrëmë isha me 20 shokë, këtu po qëndroj me miqtë në qytet, po qëndroj te një doktor dhe gruaja e tij, kështu që nuk po qëndroj në hotel po qëndroj me ta dhe është e jashtëzakonshme”, tha ai për EO.
Rowan dha një mesazh për qytetarët për 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës.
“Ju falënderoj për mikpritjen dhe urime për atë që keni arritur. Madhështore”, tha për Ekonomia Online, gjeneralmajor, Jeremy Rowan.
Ndryshe, Rowan bashkë me miqtë e tij të enjten u pritën në takim nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, me ç’rast i pari i Prishtinës i nderoi me çmimin “Helmeta Ilire”, për kontributin e dhënë në muajin qershor të vitit 1999 në hyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë.