Komandanti i ri i forcave ruse në Ukrainë, Sergei Surovikin deklaroi se forcat e tij po përballen me vështirësi në terren.
“Situata në zonën e ‘operacionit të posaçëm ushtarak’ mund të përshkruhet si e tensionuar”, tha Surovikin për televizionin shtetëror rus, Rossiya 24, gjatë një interviste më 18 tetor, shkruan Reuters.
“Armiku vazhdimisht përpiqet të sulmojë pozicionet e forcave ruse”, tha ai. “Para së gjithash, bëhet fjalë për sektorët në Kupiansk, Liman dhe Mikolajiv-Krivij”, shtoi ai.
Surovikin theksoi ushtria ruse po përgatitet që të evakuojë civilët nga qyteti jugor ukrainas i Hersonit, që është pushtuar nga Moska dhe gjendet në një prej katër rajoneve që Rusia paligjshëm aneksoi tri javë më parë.
Më 8 tetor, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë e emëroi Surovikinin si komandant të përgjithshëm të forcave të Kremlinit që marrin pjesë në luftën në Ukrainë.
Kjo është hera e parë që Rusia emëron një komandant të vetëm për të gjitha forcat ruse që luftojnë në Ukrainë, qëkur Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.