“Gjenocidi nuk u bë kundër boshnjakëve, por njerëzve” – Abazoviç zgjon reagimin e mediave në Bosnje

Mediat në rajon, kryesisht në Bosnje-Hercegovinë, e cilësuan si skandaloze deklaratën e kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviç, i cili në 27 vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, tha se gjenocidi nuk u krye kundër boshnjakëve “por kundër njerëzve”.

“Më 11 korrik, 1995, në këtë vend u vra njerëzimi, por Bosnja vazhdoi të jetojë. Edhe sot, pas 27 viteve, fryma e urrejtjes, fryma e mospajtimit, fryma e ndarjeve jeton në Ballkan, e cila fatmirësisht nuk e manifeston më veten përmes luftërave. Kjo është një thirrje ndaj të gjithëve që ne duhet të jemi më të mirë”, ka thënë Dritan Abazoviç.

“Këto shënjestra të bardha thonë shumë për të gjithë. Gjenocidi nuk u krye kundër boshnjakëve por kundër njerëzve. U krye nga politika e ligësisë, politika e vdekjes, politika e mashtrimit. Për atë duhet t’u japim shans gjërave. Ka shumë gjëra që mundtë ndryshojmë për të mirën, për ripajtim, drejtësi, dhe shans ndaj së vërtetës”, raportoi “Radio Sarajevo”.

Megjithatë, kryeministrit Abazoviç iu desh të qartësojë më tej deklaratën e tij, për çka edhe u pyet nga gazetarët.

“Politikanët krijojnë gjithçka, politikanët krijojnë ligësinë dhe politikanët vrasin njerëz, dhe ushtria në emër të asaj politike i ekzekuton. Kjo nuk është justifikim, por duhet të dimë kush janë keqbërësit e vërtetë dhe urdhëruesit”, ka thënë Dritan Abazoviç.

Në emër të qeverisë malazeze, Abazoviç shprehu nderimet ndaj vikltimave.

“Të kaluarën nuk e ndërrojmë dot, por të ardhmen mundemi. Na mbetet neve të vendosim rreth asaj se a të jetojmë në kufijtë e Ballkanit apo të jetojmë më mirë”, ka thënë mes tjerash kryeministri i Malit të Zi.

Qendra Memoriale e Srebrenicës i ka reaguar Kryeministrit të Malit të Zi në lidhje me deklaratën e këtij të fundit. Ata thanë se Abazoviç duhet të lexojë vendimet e gjykatave ndërkombëtare, të cilat në mënyrë të qartë thonë se “gjenocidi është kryer kundër boshnjakëve”.

“I nderuar kryeministër Dritan Abazoviç, faleminderit që jeni me ne sot në Potoçari. Mirëpo, ndaj boshnjakëve u krye gjenocid – sepse motivi i vrasjes nuk ishte ‘vrasja e njerëzve’, por vrasja dhe shkatërrimi i një populli. Këtë ju mësojnë vendimet e gjykatave ndërkombëtare. Lexoni ato”, kanë shkruar në Twitter ata.