Sot gjatë ditës mediat gjermane njoftuan se presidenti amerikan Donald Trump ka ofruar rreth një miliardë dollarë për të blerë një firmë gjermane, e cila po hulumton për një vaksinë kundër koronavirusit. Trump po ashtu është përpjekur t’i joshë shkencëtarët gjermanë që të shkojnë në SHBA dhe atje të vazhdojnë punën. Ideja e Trumpit ishte që të sigurojë një të drejtë ekskluzive të vaksinës së koronavirusit.
Por përpjekja e Trumpit duket se nuk do realizohet. Pronari kryesor i firmës bioteknologjike “CureVac”, Dietmar Hopp, ka thënë se nuk ia shet SHBA-ve as firmën, as rezultatet e hulumtimeve. Hopp deklaroi se nëse arrihet të zhvillohet një vaksinë efektive kundër koronavirusit, atëherë ajo nuk duhet të mbrojë njerëzit në zona të caktuara, por të ndahet në mënyrë solidare me mbarë botën, shkruan “Frankfurter Allgemeine Zeitung” në numrin e nesërm.
Dietmar Hopp është njëri prej pasanikëve më të mëdhenj gjermanë. Ai është bashkëthemelues i firmës SAP. Sipas listës së Forbes-it të vitit 2018 pasuria e tij llogaritet të jetë rreth 10,2 miliardë dollarë. Në shtator 2012 Hopp investoi 80 milionë euro në firmën “CureVac”.
Firma CureVac, e vendosur në jug të Gjermanisë po bën kërkime për disa vaksina të mundshme, dhe dy prototipe do të zgjidhen për test. Bashkëthemeluesi i CureVac dhe shefi i sektorit të prodhimit Florian von der Mülbe i tha Reutersit se kompania shpreson ta ketë një vaksinë eksperimentale në qershor ose korrik. Pas kësaj do të merret aprovimi për ta testuar atë tek njerëzit.
Dy javë më parë, shefi i atëhershëm i bordit i CureVac, Daniel Menichella u takua në Shtëpinë e Bardhë me Trumpin dhe me stafin e tij. Nëntë ditë pas takimit, më 11 mars, firma CureTec e largoi Menichellan nga posti dhe e zëvendësoi me themeluesin e kompanisë Ingmar Hoerr.
Në mars 2015 në këtë firmë investoi 46 milionë edhe fondacioni i Bill dhe Melinda Gates. Hopp është kritik i ashpër i papërgjegjësisë së të pasurve. Ai thotë se të pasurit duhet të kujdesen që ata që kanë më pak të kenë shanse të barabarta për të përparuar në shoqëri.