Me 26 shtator 60,5 milionë qytetarë gjermanë do të votojnë për zgjedhjet e 20-ta të Bundestagut (Parlamenti gjerman) ku kandidojnë gjithsej 47 parti. 2,8 milionë qytetarë votojnë për herë të parë. Janë po ashtu 6211 kandidate dhe kandidatë, 33% prej të cilëve gra, që konkurrojnë për të zënë vend në Parlamentin gjerman me 598 deputetë.
Edhe pse ka filluar prej shumë ditësh, fushata zgjedhore nuk përjetohet shumë në jetën e përditshme. Ajo që ndjen apo sheh çdo qytetar, janë rrugët e mbushura me pllakata të kandidatëve të partive përfaqësuese që konkurrojnë. Këtu në Gjermani pllakatet dhe posterat janë mjeti më publik i reklamës dhe mund të arrijë miliona votues, sidomos në qendrat urbane, brenda kohës më të shkurtër të mundshme. Një pllakat të tillë e ndeshim shpesh në qytetin e Bergisch Gladbach, ku kandidat për në Bundestag në këto zgjedhje është edhe shqiptari Kastriot Krasniqi nga Partia Socialdemokrate (SPD).
“Talentin“ e tij për tu marrë me politikë ai e ka pasur qysh në banka e shkollës, kur ishte 14 vjeç. Ai kishte guximin të kritikonte hapur dhe të ngrinte zërin kur ishte fjala për të drejtat e nxënësve. Më pas, në vitin 2008 ai ishte asistent (ndihmës) i deputetes së Parlamentit të Republikës (Landit) të Renanisë Veriore-Vestfalisë (NRV), Helene Hammelrath. Me këtë përvojë kaq të gjatë ai u “dashurua” me politikën dhe fitoi besimin absolut se socialdemokratët gjermanë janë më të besueshëm dhe shumë të hapur edhe me qytetarët me prejardhje jo gjermane. Kastrioti ndjehet gjithmonë e më shumë i barabartë si gjithë anëtarët e tjerë të partisë, pavarësisht se prindërit nuk janë gjermanë dhe se kujt feje apo besimi i takon. Ai tashmë punon në një kompani të madhe të sigurimit shëndetësor (AOK) pasi ka studiuar pikërisht ekonomi dhe menaxhim për fushën e shëndetësisë dhe atë sociale. Për këtë arsye, Kastrioti nëse fiton, do të ketë në fokus të punës së tij pikërisht sfidat me të cilat përballen sektorët e shëndetësisë, infrastukturës dhe integrimit.
Prej vitit 2012 Kastriot Krasniqi është anëtar i Partisë (SPD) dhe sot edhe nënkryetar i kësaj partie në qytetin Bergisch Gladbach. Prej vitit 2014 anëtar i kryesisë së Këshillit të përgjithshëm të Komunës së qytetit si dhe anëtar i Këshillit për Integrim. Kur kthen kokën prapa, natyrisht që gjithë ky rrugëtim nuk ka qenë i lehtë, thotë vetë ai, sot 29 vjeç. Konkurrenca është shumë e madhe por me krenari mund të themi se ja ka dalë, pavarësisht nëse fiton apo jo mandatin për të qenë në Berlin pas 26 shtatorit.
“Do të vazhdoj te jem aktiv në jetën politike edhe nëse do ti humbas këto zgjedhje. Pas marsit mund të ushtroj detyrën si Kryetar i Asamblesë së të huajve. Pra, nëse nuk do të jem në parlament, do të jem i angazhuar aty“, thekson djaloshi nga Kosova.
Si shqiptar ai madje është krenar për gjithë komunitetin shumë të mirëorganizuar në këtë qytet dhe qytetet rreth e qark, por mbi të gjitha që ka ndjekur rregullisht edhe mësimin në shkollën e gjuhës shqipe. Ndaj sot ai flet përveç gjermanishtes, anglishtes, apo frëngjishtes, gjuhën shqipe shumë mirë, edhe pse në Gjermani ka ardhur i vogël. Kastrioti nuk lë pa ndjekur sot edhe zhvillimet politike në Kosovë duke shprehur dëshirën për të kontribuar në të ardhmen nëse është nevoja.
Natyrisht që gara e mijëra kandidatëve në Gjermani për të fituar një mandat katërvjeçar është e madhe, por Kastriot Krasniqi ka fatin e madh që konkurron nga radhët e socialdemokratëve, të cilët kanë si kandidat për Kancelar, Olaf Scholz që sipas sondazheve duket se ka shumë shanse në krahasim më dy kandidatët e tjerë për të qenë pasardhësi i Kancelares, Angela Merkel.