‘Goditja’ që Ambasadori i ShBA’së u dha zyrtarëve serb që vazhdojnë ta mohojnë këtë masakër

Ambasadori i ri amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në 23 vjetorin masakrës së Reçakut, ka përçuar një mesazh jo të zakonshëm siç ndodh rëndom në fjalimet e diplomatëve, kësaj radhe amerikani ka qenë më i prerë se çdo herë tjetër, duke theksuar ‘askush të mos e harroj dhe as mohojë atë që ndodhi në Reçak’, duke ua bërë të qartë atyre që guxojnë të mohojnë një krim kaq mizor, e që kemi dëgjuar jo rrallë herë ta bëjnë disa zyrtarë serbë.

Shkuarja e Jeffrey Hovenier në ceremoninë e 23-vjetorit të Masakrës së Reçakut, nuk ishte krejt i rastësishëm, fjalimi i tij dhe mesazhi që ai përcolli nga aty ishte goditje ndaj mohuesve të kësaj masakre me adresë në qeverinë e Serbisë, e që la të vdekur 45 civil shqiptarë.

“Askush të mos e harroj dhe as mohojë atë që ndodhi në Reçak ose pse SHBA’ja dhe aleatët tanë u ngritën në mbrojtje të popullit të Kosovës…”, ishte kryefjala e fjalimit të Hovenier, e që ishte mesazh i qartë për mohuesit dhe propaganduesit e kësaj masakre që është e dokumentuar me fakte e fotografi çfarë ka ndodhur me 15 janar të vitit 1999.

Ky fjalim kaq goditës i ambasadorit amerikan, vjen pasi në vazhdimësi zyrtarë të qeverisë së Serbisë kanë bërë propagandë dhe kanë mohuar masakrën e Reçakut.

Hiç më pak se Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, ka provokuar në vazhdimësi me pretendimet se masakra ndaj civilëve shqiptarë në fshatin Reçak, ka qenë “një gënjeshtër e madhe dhe një falsifikim i tmerrshëm”.

Por ky ministri kontravers dhe propagandues, Vulin, kishte vazhduar duke lëshuar deklarata skandaloze mbi masakrën e Reçakur. Ai kishte shkuar në xhirimet e një filmi propagandues pikërisht për Reçakun ku krimi i faturohet shqiptarëve sipas pretendimeve të tyre, e në fakt 45 civil shqiptarë ishin viktima të krimeve të regjimit të Sllobodan Milloshevic.

Por përgjigjen ky zyrtar serb dhe të tjerët e morën nga ambasadori amerikan, i cili ishte edhe dëshmitar i kësaj ngjarje.
Hovenier gjatë fjalimit citoi gjithashtu ish-presidentin amerikan, Bill Clinton i cili e kishte quajtur masakrën e Reçakut akt vrasës i qëllimshëm.

“E mbaj mend shumë mirë si zyrtar në misionin e ShBA’së në OSBE përgjegjës për Kosovën atëherë kisha një marrëdhënie të mirë me ambasadorin Walker. Ai më thirri në telefon sapo ishte larguar nga Reçaku tashmë i përqëndruar në rekomandimet e tij për OSBE-në në reagim të vrasjeve brutale të civilëve të pafajshëm’, tha ai.

Kujtojmë se më 15 janar 1999, paramilitarët dhe ushtarët serbë rrethuan Reçakun ku vranë 45 civilë të pafajshëm.

Një ditë pas kryerjes së masakrës, më 16 janar rreth orës 13:30, ambasadori i OSBE’së, William Walker ndodhej në Reçak për të parë atë që kishte ndodhur vetëm një ditë më parë.

Walker pasi vizitoi fshatin u ngjit lartë te Gropa e Bebushit dhe pasi po i afrohej luginës së ngushtë ishte tmerruar kur kishte parë kufomat e tre meshkujve të moshuar.

“Nga ajo që pashë nuk ngurroj të përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit. Kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time”, kishte thënë ai.