Grekët paralajmërojnë pushtimin e ishujve, Erdogan: Tani e tutje, Greqia t’i shkojë hallit mbrapa

Presidenti turk Rexhep Tayyib Erdogan ka bërë deklarata të forta në lidhje me raportet e Turqisë dhe Greqisë, në një kohë të tensionuar mes dy shteteve. Ndërkohë që më herët tha se nuk e njihte më Mitsotakisin dhe nuk komunikonte më me të, Erdogani tha sot se edhe qeveria e tij do të ndërpresë raportet me Greqinë.

“Unë i kam shprehur edhe më herët qendrimet e mia në lidhje me atë që po ndodh me Greqinë. U kemi thënë që nuk ka më takime me ta për aq kohë sa përballë nuk do të kemi politikanë të ndershëm dhe që mbajnë fjalën. Po ashtu u kemi thënë se nuk do të zhvillohen më mbledhje të nivelit të lartë këshillit strategjik. Takimi i planifikuar këtë vit nuk do të zhvillohet. Ky është një mesazh i qartë. Nga sot e tutje, Greqia të shohë hallin e vet dhe të kujdeset vetë për hallet e saj”, tha Erdogan.

“Protothema” raporton se ushtria greke është duke u bërë gati për një pushtim të një ose disa ishujve nga forcat turke pas retorikës së ashpër nga Erdogan dhe Ministria e Jashtme e Turqisë, të cilët kanë vënë në dyshim sovranitetin territorial të Greqisë mbi ishujt në fjalë, raporton abcnews.al. Prej vitesh Turqia kërkon demilitarizimin e ishujve grekë përballë tokës turke duke iu referuar Traktatit të Lozanës, i cili parashikonte se asnjë ushtar apo teknikë ushtarake nuk duhej të gjendej në këto ishuj. Me këtë kusht, ishujt kaluan nën sovranitetin e Greqisë.

Ishulli Imia, i njohur nga turqita si “Kardak” ndodhet përballë tokës turke dhe në vitin 1996 aty mësynë forcat speciale të Turqisë duke hequr flamurin grek dhe vendosur atë turk. Situata u zgjidh pas ndërhyrjes së amerikanëve, ndërkohë që Turqia dhe Greqia ishin të gatshme për të luftuar.