Richard Grenell do të mbetet i dërguar i posaçëm i Presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, pas lajmit se ai do të tërhiqet nga pozita e ambasadorit të SHBA-së në Berlin, ka deklaruar zëdhënësi i tij, Dick Custin.
“Ai pret që dialogu të vazhdojë sa më parë, posa që të finalizohet krijimi i Qeverisë në Kosovë”, ka thënë Custin, për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug.
Ambasadori amerikan në Berlin dhe Emisari Special i Presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka konfirmuar përmes llogarisë së tij në Twitter se po largohet nga pozita e ambasadorit në Gjermani.
Grenell ka postuar shkrimin e gazetës amerikane ‘Politico’ duke shkruar “E vërtetë” në llogarinë e tij në rrjetin social.
Në shtator të vitit 2017, Richard Grenell u emërua ambasador në Gjermani nga Presidenti Donald Trump.
Sipas informatave të agjencisë gjermane të lajmeve, DPA, 53-vjeçari do të tërhiqet shumë kohë para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, më 3 nëntor. Robin Quinville, që ka qenë zëvendëse e Grenellit, pritet të marrë përsipër detyrat e tij